E Diel, 1 Nëntor 2026

TIKA, 105 mijë euro për dy projekte në Gjirokastër

Kështu ka deklaruar Ministri i Punës, z. Spiro Ksera, gjatë ceremonisë së inaugurimit të kursit profesional për instalime hidraulike në Qendrën publike të Formimit Profesional në Gjirokastër dhe pas vizitës në shtëpinë e të moshuarve në këtë qytet, e pajisur së fundi me mobilie, pajisje elektronike dhe mjekësore – të dyja investime të TIKA. Në këto ceremoni merrnin pjesë edhe Ambasadori turk, Hasan Asan, koordinatori i TIKA-s, Jahja Gylseven, Kryetari i Bashkisë Gjirokastër , Flamur Bime, etj.

Ministri Ksera falënderoi TIKA-n për bashkëpunimin dhe vuri në dukje se investimi në Qendrën e Formimit Profesional do t’i shërbejë kualifikimit të të rinjve dhe rritjes së nivelit të vetëpunësimit në zonën e Gjirokastrës. Sipas Ministrit të Punës, “së shpejti në këtë qendër do të hapet edhe një kurs për gurgdhendës, një profesion shumë i nevojshëm për mbrojtjen dhe zhvillimin e  traditës së këtij qyteti.”

Pas vizitës në qendrën e të moshuarve, Ministri Ksera theksoi se ofrimi i shërbimeve sociale cilësore dhe të standardeve më të larta për të gjitha kategoritë është në qendër të punës së Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. “Fondet e Qeverisë për përmirësimin e shërbimeve kanë ardhur në rritje nga viti në vit, theksoi Ministri, dhe në këtë kuadër ndihma dhe mbështetja e donatorëve është e mirëpritur.”

“Në të njëjtën kohë ne nxisim dhe mbështesim gjithashtu iniciativat e njësive vendore për të kontribuar me buxhete lokale për rritjen e cilësisë së shërbimit në këto qendra si dhe në ngritjen e qendrave të reja”, vuri në dukje Ministri i Punës.  TIKA - strukturë nën varësinë e Qeverisë turke, ka investuara në Gjirokastër në dy projektet e finalizuara një vlerë prej 105,000 euro.

Çelja e një kursi profesional për instalime hidraulike pranë Qendrës Rajonale të Formimit Profesional në Gjirokastër është kryer pas vlerësimit paraprak të tregut si një prej profesioneve më të kërkuara. Projekti i TIKA-s ka siguruar të gjitha pajisjet hidraulike për realizimin e kursit, ndërsa pritet që regjistrimet e para të nisin në Shtator.

Ndërkaq një pjesë e këtij fondi ka shkuar për sigurimin e pajisjeve për Shtëpinë e të moshuarve në Gjirokastër. Institucioni më i rëndësishëm në jug të vendit për kujdesin ndaj të moshuarve ku janë strehuar rreth 60 vetë është pajisur me mobilie, pajisje elektronike dhe pajisje mjekësore. /Start/

                                                                                             2012-07-31 16:11
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›