Bisedimet Kosovë - Serbi, pa vullnet, pa rezultate

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë paralajmëruar të vazhdojnë këtë javë. Që nga nisja e bisedimeve në fillim të muajit mars, palët kanë trajtuar problemet që ndërlidhen me regjistrin civil, kthimin e dokumenteve kadastrale, CEFTA-n e vulat doganore, energjinë dhe postë- telekomunikacionin.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se mungesa e marrëveshjeve konkrete ndërmjet delegacionit serb e atij kosovar ka të bëjë me qëndrimet ende të kundërta ndërmjet palëve dhe atmosferës ekzistuese në fillim të bisedimeve. Biserko theksoi që rezultatet nga procesi, i cili, sipas saj, ka nisur në frymën e një presioni të Brukselit zyrtar, duhet të nxiten nga vetë Bashkimi Evropian.
Për shkak të insistimit evropian për nisjen e bisedimeve, analisti Ramush Tahiri, duke folur vetëm në cilësinë e politologut, nuk e përjashtoi mundësinë që Prishtina e Beogradi të kenë hyrë në këtë proces vetëm sa për ta zhvilluar atë. Ai tha se ecuria e bisedimeve dëshmon mungesën e një vullneti politik për të zbatuar rezultate konkrete në terren.