Bisedimet Kosovë-Serbi, Daçiç: Javën tjetër me një platformë

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë sot se qeveria e tij prej nesër do ta filloj punën në përgatitjen e platformës për bisedime me Prishtinën. Sipas tij, dialogu me Prishtinën nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, por me zgjidhjen konkrete të problemeve.
Në këtë kuadër, Daçiç ka përmendur çështjen e të pagjeturve, të drejtat e serbëve në pjesën jugore dhe veriore të Kosovës, mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe fetare dhe privatizimin.
Ai ka theksuar, para gazetarëve në Beograd, se pos institucioneve shtetërore, në përpilimin e platformës për bisedime me Prishtinën, duhet të përfshihen edhe opozita dhe institucionet kulturore dhe shkencore.
Daçiç e ka vlerësuar si protokolar takimin e djeshëm me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Bruksel. Ai ka theksuar se me Hashim Thaçin nuk është përshëndetur me shtrëngim duarsh dhe se këtë do ta bëjë kur bisedimet të përfundojnë në mënyrë të suksesshme.
Më tej, ai ka theksuar se Thaçi është negociator më me përvojë se ai, pasi ka marrë pjesë në negociatat në vitin 1998 dhe në ato në vitin 1998 në Rambuje.
“Pasi kam luftuar kundër Thaçit, përse tash të mos zhvilloj negociata”, u ka thënë Daçiç gazetarëve në qytetin Vërbas. Sipas tij, në takimin e djeshëm nuk ka pasur kurrfarë simbolesh shtetërore.