E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi komenton takimin në Bruksel: Kapitull i ri, mbështetet nga Amerika

Takimin me kryeministrinë e Serbisë, Ivica Daçiç, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur simbolik, por sipas tij, ai hap një etapë të re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi.
 

Fillimisht, në intervistë për REL, kryeministri Thaçi ka thënë se takimi është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për fqinjësi të mirë, po ashtu në përputhshmëri të plotë edhe me rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Ai, më tej, ka thënë se për procesin ka ekzistuar një konsensus i gjerë politik. Po kështu, kryeministri vlerëson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani edhe me konfirmimin për vizitën në Kosovë të Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, demonstrojnë fuqishëm mbështetjen për këtë proces.

Ai ka thënë se në takim nuk është diskutuar për çështje konkrete, por për domosdoshmërinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura, ndërsa ka ngritur çështjen e të pagjeturve, në mënyrë që kjo çështje të zbardhet sa më shpejt dhe Beogradi e ka obligim të punojë maksimalisht në këtë drejtim.

Në pyetjen se kur mund të pritet raundi i ardhshëm i dialogut me Serbinë dhe kush do të jenë udhëheqësit e delegacioneve, kryeministri tha se në muajin e ardhshëm mund të ketë takime të tjera kurse Bashkimi Evropian është udhëheqës i këtij procesi.

Ai ka shtuar se do ta informoj skenën politike dhe institucionet kosovare për hapat e mëtejshëm, në mënyrë të një koordinimi të gjerë politik, civil dhe akademik. Ndërkaq, sa i përket vështirësive në procesin e dialogut, ai ka potencuar se do të ketë ballafaqime të ideve dhe angazhimeve që nuk do të jenë të lehta, sepse ka qenë një konflikt njëshekullor, i përcjellë me dhunë të Serbisë në Republikën e Kosovës.

Prandaj, sipas tij, kur të respektohet në plotni rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kushtetuta dhe ligjet e saj, mund të ketë vështirësi në proces, por është shprehur i bindur se do të fitojë fryma evropiane.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›