Bisedimet izraelito-palestineze rifillojnë këtë muaj?
SHBA konsideron të mundshëm një rifillim të bisedimeve të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe palestinezëve edhe gjatë këtij muaji. Këtë vlerësim e dha zëdhënësja e State Departmentit amerikan, Victoria Nuland, në një konferencë për shtyp në Washington.
Një takim i presidentit të palestinezëve, Mahmud Abbas dhe i të dërguarit të SHBA-së në Lindjen e Mesme, David Hale, ka qenë "produktiv", shtoi ajo.
Zëdhënësja Nuland iu referua një plani për negociata të reja direkte për paqe, të cilin e kishte propozuar katërshja për Lindjen e Mesme, në të cilin marrin pjesë OKB, BE, SHBA dhe Rusia.
Me këtë plan të dyja palët do të arrinin deri në fund të 2012 marrëveshjen e paqes.
Në fund të tetorit është planifikuar takimi i parë me përfaqësues nga të dyja palët.