E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisedimet refuzimi serb Nuk i japim regjistrin civil Kosoves

Energjia, telekomunikacioni dhe lëvizja e lirë janë temat e takimit të dytë në kuadër të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Koordinatorja e palës kosovare, Edita Tahiri thotë se kësaj here të dyja palët mund t’i sqarojnë edhe pozicionet rreth temave të diskutuara në takimin e parë. Edhe ky takim kryhet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe asistohet nga përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Opozita në Prishtinë vazhdon ta kundërshtojë këtë dialog. Ditë më parë, Edita Tahiri pati shprehur optimizmin e saj se nga partitë opozitare në grupet punuese për bisedimet mund të përfshihet edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë anëtari i kryesisë së AAK-së, Avni Arifi. Sipas kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, procesi i bisedimeve do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe me njohje reciproke.

Para fillimit të bisedimeve në Bruksel, udhëheqësi i delegacionit serb, Borislav Stefanoviq tha se Serbia nuk do t'ia dorëzojë Kosovës librat origjinale të regjistrimit civil, me shpjegimin se kështu do të hiqte dorë nga sovraniteti serb mbi Kosovën. Ai theksoi se pala serbe me Prishtinën nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje që ka elemente shtetësie, pasi që kështu do të njihte pavarësinë e Kosovës.

“Ekipi negociator serb nuk po shkon në Bruksel për t'i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës”, theksoi Stefanoviq duke shtuar se për zgjidhjen e problemeve konkrete nuk ka afate të caktuara kohore, siç ka kërkuar pala kosovare. Sa i përket furnizimit me energji elektrike, Stefanoviq deklaroi për mediat serbe se qëllimi i marrëveshjes është që t'i bëhet e mundshme “Elektro-Ekonomisë” së Serbisë të funksionojë në territorin e Kosovës”.

Ai është i bindur se në një fazë të mëvonshme do të hapet edhe çështja e veriut të Kosovës. Për takimin e së hënës pritet që më së shumti rezultate të arrihen përsa i përket furnizimit me energji elektrike, por edhe këtu Stefanoviq ka folur vetëm për furnizimin më të mirë të serbëve dhe jo të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›