E Diel, 1 Nëntor 2026

BiznesAlbania, propozime për partitë politike në “Librin e politikave të biznesit”

TIRANE - Përveç shlyerjes së borxheve, biznesi kërkon që të mos tenderohen me vepra publike, në rast se në buxhet nuk është planifikuar i gjithë fondi. Eshtë kjo një ndër kërkesat që BiznesAlbania që do t’i propozojë partive politike përpara zgjedhjeve të 23 qershorit.

Kërkesat janë përfshirë në “Librin e politikave të biznesit, në të cilin parashikohen të detajuara propozimet për nxitjen e sektorëve të caktuar të ekonomisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

“Në propozimet tona ne kemi kërkuar që të gjithë tenderat që do të bëjnë qeveritë e ardhshme duhet të bëhen mbi bazën e një fondi të plotë të parashikuar që në buxhetin e shtetit. Pra nuk mund të lejohet më që të bëhet një tender me 1 milion lekë të reja, si fillim dhe pastaj të zgjati 5 vjet që ky tender shkon në një vlerë 1 milion euro. Po kështu në sektorin e turizmit zë vend kërkesa që TVSH-ja e shërbimit turistik të jetë konkurruese me atë të vendeve të rajonit dhe është kërkuar sipas qarqeve. Ka një specifikë në këto kërkesa. Në sektorin e fasonëve duhet të përmendim heqjen e listave të makinerive dhe pajisjeve që përfitojnë nga heqja e TVSH-së. Nuk është korrekte kur rinovimi i teknologjisë është një përparësi e industrisë të vendoset që tani se cilat makineri dhe pajisje duhet të përjashtohen nga TVSH-ja. ”- deklaroi Luan Bregasi, president i BiznesAlbania.

Presidenti i BiznesAlbania bën të ditur se propozimet për partitë politike u hartuan pasi u zhvilluan takime me sipërmarrjen private në të gjithë vendin. Pjese e propozimeve janë politikat për nxitjen e punësimit të të rinjve dhe grave, si dhe zhvillimin e sektorëve si turizmi, fasonët, ndërmarrjet e vogla e të mesme, etj.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›