E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset, Qeveria fal gjobat dhe detyrimet e prapambetura

10/03/2011  Vendimi për amnistinë fiskale, duhen 85 vota

Qeveria shqiptare pritet të falë së shpejti të gjitha gjobat dhe detyrimet e prapambetura që i kanë atij bizneset, kryesisht ato të vogla. Ministri i Financave, Ridvan Bode, me porosi të kryeministrit Berisha do të sjellë së shpejti në Parlament një ligj për këtë synim.

Amnistia

Në fakt, kjo është një prej dy varianteve që qeveria mendon t’i paraqesë Kuvendit për miratim, pasi qëllimi i saj parësor është realizimi i amnistisë fiskale për bizneset. Por sipas Kushtetutës, projekte të kësaj natyre kërkojnë mbështetjen e 3/5 të deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe mbështetjen e deputetëve të opozitës. “Unë kam shumë kënaqësi që ne të aplikojmë amnistinë fiskale për të gjitha bizneset. Por amnistia kërkon 3/5 e votave në Parlament, prandaj unë ftoj opozitën të shqyrtojë projektin e qeverisë, të amendojë këtë projekt mbi bazën e platformës që ka dhe ta votojë”, - tha Berisha në fjalën e tij para ministrave të kabinetit të tij në mbledhjen e djeshme. Projekti i amnistisë nuk do të përfshijë të gjitha llojet e bizneseve, por do të ketë kriteret e saj. Në këtë mënyrë, qeveria synon të përjashtojë nga kjo nismë bizneset e lidhura me pushtetarë dhe ish-pushtetarë si dhe amnistinë e parave që s’kanë origjinë biznesin. “Do të realizojmë amnistinë për biznese, me përjashtim të atyre të lidhura me pushtetarë apo ish-pushtetarë, të cilat do të përjashtohen, sepse këtu kemi një aspekt tjetër. Këto biznese nuk do të përfshihen në amnisti. Sikundër Ministria e Financave do të bëjë kujdes të madh që në projektin e ligjit që duhet t’i dërgojmë sa më shpejt Parlamentit të parandalohet mundësia e amnistimit të parave të trafiqeve, drogës, pra të parave që janë me origjinë jo biznesi. Këto janë dy kriteret”, - theksoi kreu i qeverisë. Amnistia fiskale është një proces të cilin qeveria shqiptare e ka nisur disa muaj më parë pa mundur ta finalizojë ende.

Falja

Po nëse opozita, siç ka treguar praktika e deritanishme, nuk do të votojë këtë nismë të qeverisë, kryeministri ka edhe variantin tjetër: atë të përpilimit të ligjit të faljes, që miratohet vetëm me votat e mazhorancës. “Duke ditur qëndrimin konstant obstruksionist të mbajtur prej saj (opozitës) në të gjitha rastet, ne duhet ta përgatisim projektligjin, zoti ministër, në dy variante: varianti i amnistisë dhe varianti i faljes. Falja është më e ngushtë, nuk ka të gjithë spektrin e amnistimit. Falja do të jetë për të gjitha detyrimet, gjobat dhe detyrimet e prapambetura. Mendoj se falja dhe amnistia duhet të jetë një shans i ri për të gjitha biznesit edhe në deklarimin e punonjësve që kanë, në mënyrë që të krijohet një mundësi e re për një formalizim më të madh”, - nënvizoi shefi i ekzekutivit. Kryeministri porositi që qoftë kuadri i faljes, qoftë ai i amnistisë të ishte më i ploti e total për biznesin e vogël. “Këtë nuk e bëj absolutisht për politikë, por për faktin se ’80 për qind, por edhe më shumë, janë në këtë biznes. Ky është gjeneratori kryesor e më i fuqishëm i punësimit. Ndaj shpreh vlerësimin tim më të madh për kontributin e këtij sektori, i cili është zhvilluar me shpejtësi të madhe pas përgjysmimit të taksave, sektor që në ndonjë qytet si Tirana u bë në mënyrë të pamerituar subjekt i një agresioni fiskal absurd”, - shtroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›