E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria bllokon 2 qese me pistoleta të Gardës

10/03/2011  Oficerë të Prokurorisë rreth orës 14:00 kanë transportuar në laboratorin shkencor pistoletat e Gardës

Dokumentohen numrat serialet të armëve dhe fillon krahasimi balistik i predhave e gëzhojave

TIRANE-Sapo kanë bërë tërheqjen nga magazinat e Gardës të dhjetërave pistoletave 9 mm, Prokuroria ka urdhëruar ekspertimin balistik dhe krahasues të tyre. Dje rreth orës 14:00 dy oficerë të Policisë Gjyqësore kanë transportuar në drejtim të laboratorit të Policisë Shkencore dy qese me pistoleta të kalibrit 9 mm, të cilat u tërhoqën pak ditë më parë nga Garda e Republikës. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë, të cilat thanë se grupi i hetimit pas dokumentit të numrave seriale të pistoletave dhe përcaktimin e numrit total të tyre, ka urdhëruar ekspertimin e tyre në laborator ku do krahasohen me predhat dhe gëzhojat 9 mm që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Anëtarë të grupit hetimor që po kryejnë veprime lidhur me zbardhjen e katër vrasjeve në demonstratën e 21 janarit kanë ngritur dyshimet se ato mund të jetë kryer jo vetëm me automatikët MP5, por dhe nga pistoletat 9 mm të përdorura nga efektivët e Gardës së Republikës. Për të shuar këto dyshime, organi i akuzës ka vendosur të verifikojë në mënyrë shkencore dhjetëra pistoleta që përdoren nga Garda. Dy javë më parë prokurorët vendosën të sekuestrojë nga Garda e Republikës plot 25 automatikë të tipit turk MP-5, të cilët ashtu si pistoletat e tërhequra së fundmi i janë nënshtruar procedurave të ekspertimit balistik. Gjatë këqyrjes së armëve mësohet se janë duke asistuar dhe ekspertë amerikanë të FBI-së, të cilët së bashku me specialistët shqiptarë janë duke dokumentuar të gjitha detajet dhe karakteristikat e armëve të Gardës së Republikës. Shpresohet që pas përfundimit të ekspertimit Prokuroria të bjerë në gjurmët e autorëve të tjerë që dyshohet se kanë kryer katër vrasjet dhe 7 plagosjet në demonstratën e dhunshme të 21 janarit. Aktualisht, Prokuroria ka prova bindëse vetëm për një vrasje, atë të Zivër Veizit ku ka arrestuar gardistin Agim Llupo, ndërsa për sa i përket tre vrasjeve të tjera si Faik Myrtos, Aleks Nikaj dhe Hekuran Dedës, organi i akuzës ende s’ka drejtuar gishtin në asnjë prej efektivave të Gardës. Pas ekspertimit të plotë të armëve të Gardës dhe analizimit të gjithë provave të administruara në dosjen “21 janari”, grupi i hetimit pritet të dalë në një konkluzion përfundimtar mbi këto tre vrasje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›