E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset: Tatimet nuk na lënë të punojmë

Tatimet kanë nisur procedurën e falimentit për 27 biznese "VIP" duke shkelur ligjet e shtetit e duke marrë veprime arbitrare


TIRANË- Kërkesa e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve drejtuar gjykatës për fillimin e procedurave të falimentit për një serë biznesesh të cilësuara "VIP", ka shkaktuar shqetësim të thellë në këtë komunitet.


Sipas tyre, hapi i marrë nga tatimet është një veprim ekstrem dhe krijon një situatë të pafavorshme për ushtrim aktiviteti. Përfaqësues të bizneseve theksojnë se veprimi i Administratës Tatimore nuk bën gjë tjetër veçse krijon një klimë të rënduar që nuk i shërben aspak zhvillimit të vendit.


Në lidhje me këtë, ekspertë të fushës shpjegojnë se nëse një biznes, ka detyrime të pashlyera ndaj tatimeve, legjislacioni njeh rrugë alternative të vjeljes së tyre pa shkuar tek fillimi i procedurave për shpalljen e falimentimit. Një rrugë e mundshme do të ishte vjelja e tyre nëpërmjet bllokimit të llogarive bankare të biznesit, thonë ata pasi sipas ligjit bankat janë të detyruara që ta ekzekutojnë nëse iu vjen një kërkesë e tillë nga Administrata Tatimore.


Për sa i përket fillimit të procedurave të falimentit, referuar përmbajtjes së nenit 104 të ligjit për "Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë", ekspertët theksojnë se ato fillojnë vetëm atëherë kur detyrimet e kompanisë janë më të mëdha se vlera totale e kapitalit të saj. Pra vetëm kur vërtetohet se realisht kompania nuk ka se me çfarë të shlyejë detyrimet ndaj të tretëve apo ndaj shtetit.


Në lidhje me këtë çështje, drejtori i Shërbimeve ndaj Tatimpaguesit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Erjon Prifti, shpjegon se kjo është një procedure në përputhje me legjislacionin shqiptar për tatimet. Sipas tij, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën e bizneseve pasi ato kanë përmbushur kushtet që parashikohen në nenin 104 të ligjit për "Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë".


Pas kërkesës së tatimeve ndaj gjykatës për fillimin e procedurave të falimentimit, kjo e fundit fillon verifikimin e bilanceve të kompanive. Pas përfundimit të verifikimit, sipas Priftit, nëse vërtetohet që bizneset realisht prej tri vitesh kanë pasur bilanc negativ atëherë vazhdohet me nisjen e procedurave të falimentimit.


Ndërsa, nëse pas verifikimeve të bëra trupi gjykues vërteton që biznesi realisht nuk ka bilance negative por vetë cilësohet i tillë për t'iu shmangur detyrimeve fiskale, merren masat që biznesi në fjalë të shlyejë të gjitha detyrimet e prapambetura fiskale ndaj shtetit. "Pas ka shlyer të gjitha detyrimet përkatëse ndaj shtetit, biznesi vazhdon veprimtarinë e tij si më parë", - tha Prifti. Por tatimet sa që kanë njoftuar bizneset për një gjë të tillë.


Ato thjesht kanë publikuar në një link të faqes së tyre online, listën e bizneseve dhe menjëherë kanë dërguar dosjet respektive në gjykatë. Pjesa më e madhe e bizneseve që ndodheshin në atë listë janë njohur me këtë gjë vetëm pasi janë kontaktuar nga mediat.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›