E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Jo sekuestrim për pronat e Dritan Dajtit

TIRANË- Pronat e Dritan Dajtit dhe të afërmve të ngushtë të familjes së tij nuk rrezikojnë të sekuestrohen. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet bëjnë me dije se vepra penale për të cilën akuzohet nuk parashikohet në rastet kur ligji për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së ngritur në mënyrë të Paligjshme që të veproi. Sipas akuzës, Dajti akuzohet për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese" ndaj dy apo më shumë personave, vepër kjo e cila nuk parashikohet në ligjin për Sekuestrimin apo Konfiskimin e Pasurisë së ngritur në mënyrë të paligjshme. Në rast se hetohet dhe provohet se shtetasi Dritan Dajti ka kryer vepra tjera penale, si "trafik droge" apo "rrëmbim personi për arsye përfitimi" atëherë kjo pasuri verifikohet për origjinën e saj dhe mund të sekuestrohet në një proces gjyqësor. Verifikimi i pasurisë së tij nisi vetëm pak ditë pas masakrës së Durrësit, kur ai vrau katër efektivët Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari e Kastrito Feskaj, si dhe shoqëruesin e tij Ledion Mare.
Pas kontrollit të ushtruar në banesat e familjarëve të ngushtë të shtetasit Dritan Dajti, është konstatuar se ata disponojnë disa prona dhe hyrje në kryeqytet.


30 shtator
Prokuroria, 35 dëshmitarë për Dajtin


Dëshmitarët e pyetur nga akuza, kanë plotësuar deri më tani pjesën kryesore, duke zbardhur thuajse tërësisht ngjarjen


Një prej oficerëve pjesëmarrës në operacionin për arrestimin e Dajtit ka dhënë detaje të hollësishme mbi ngjarjen


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, në 23 ditët e hetimit të dosjes penale në ngarkim të shtetasit Dritan Dajti, mbi të cilin rëndon akuza e vrasjes së pesëfishtë të ndodhur në plazhin e Durrësit, ka marrë në pyetje rreth 35 dëshmitarë të ndryshëm.


Ky fakt konfirmohet nga burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilët shtuan se përveç marrjes së dëshmive të këtyre personave, janë siguruar edhe një sërë provash të tjera materiale që ndihmojnë hetuesit në zbardhjen e ngjarjes së 7 gushtit në zonën e plazhit të qytetit bregdetar.


Siç dihet, policia kishte organizuar një operacion për kapjen dhe arrestimin e të kërkuarit Dritan Dajti më 7 gusht, operacion gjatë të cilit katër efektivë policie mbetën të vrarë, bashkë me Ledion Marën që shoqëronte të kërkuarin. I shumëkërkuari u arrestua pasi mbeti i plagosur dhe bashkë me të u arrestua edhe kunati i tij, Erges Xhozhi.


"Gjatë hetimeve paraprake, grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka siguruar rreth 35 dëshmi të vlefshme, që do përdoren si prova materiale në procesin gjyqësor ndaj të arrestuarit Dritan Dajti dhe "shokëve" të tij për ngjarjen e 7 gushtit në Durrës.


Në këtë ngjarje mbetën të vrarë katër efektivë policie dhe shoqëruesi i të arrestuarit, Ledion Mara. Mes të pyeturve nga prokuroria janë funksionarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, efektivë të niveleve të ndryshme të saj, agjentë të ndryshëm, dëshmitarë që ndodheshin në vendin e ngjarjes në momentin e shkëmbimit të zjarrit mes agjentëve të policisë dhe të shumëkërkuarit Dajti, familjarë e shokë të këtij të fundit si dhe ekspertë të fushave të ndryshme",- thanë burimet.


Me marrjen e rrëfimit të tyre, sipas akuzës, është bërë i mundur përshkrimi i dinamikës së ngjarjes, që nga momenti i nënshkrimit të planit operacional nga zyrtarët e Policisë e deri në momentin e shtrimit në Spitalin e Durrësit të "vrasësit" Dajti dhe dërgimin e trupave të vrarë të agjentëve të policisë në morgun e këtij qyteti.


Sipas këtyre burimeve, mësohet se nga zyrtarët e Policisë së Shtetit, prokuroria ka siguruar të dhënat e organizimit dhe planit operacional të arrestimit të Dajtit. Nga agjentët që kanë marrë pjesë në këtë operacion, hetuesit kanë mësuar për dinamikën dhe rindërtimin e skenës së ngjarjes, të cilët kanë dhënë detaje të hollësishme për shkëmbimin e zjarrit dhe pozicionimin e tyre në këtë operacion.


Dëshmitarët e pranishëm në vendin e ngjarjes iu kanë treguar hetuesve të Prokurorisë se agjentët e policisë, gjithë kohës bërtisnin "Ndal Policia"; "Dorëzohu Policia". Deklarime këto që kanë hedhur poshtë pretendimet e të shumëkërkuarit Dritan Dajti të ngritura në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë seancës gjyqësore të vleftësimit të masës së sigurisë, se "personat ishin me maska dhe nuk e dija që ishin punonjës policie".


Këto dëshmi të dhëna disa ditë më parë, kanë hedhur poshtë përfundimisht sipas prokurorisë, pretendimin e Dritan Dajtit se personat që iu afruan autoveturës së tij donin ta grabisnin.


4 efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të vrarë mesditën e 7 gushtit në plazhin e Durrësit, në përpjekje për të arrestuar Dritan Dajtin, i cili ishte i kërkuar si i dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e
Tiranës me akuzën e vrasjes.

5 persona të vdekur dhe një i plagosur qe bilanci i dëmeve në njerëz gjatë operacionit. Katër nga të vrarët siç dihet ishin punonjës policie, një ishte Ledion Mara që shoqërohej me Dajtin si dhe i kërkuari Dritan Dajti që mbeti i plagosur

12 efektivë të Grupit të Operacioneve Speciale, merrnin pjesë në operacionin e shtatë gushtit, që kishte të bënte me mbajtjen në vëzhgim të të shumëkërkuarit Dritan Dajti dhe lidhjeve të tij si personave të tjerë të mundshëm që policia dyshonte se bashkëpunonte ai.

Familjarët e Dajtit u pyetën pas ngjarjes


Nuk i kanë shpëtuar pyetjeve të Prokurorisë edhe të afërmit e të dënuarit në mungesë me 25 vite burg të arrestuarit tashmë me tre plumba në trup Dritan Dajti. "Prokuroria menjëherë pas ngjarjes ka marrë në pyetje edhe familjarët e ngushtë të shtetasit Dritan Dajti e Ergest Xhoxhi. Ku janë pyetur babai, nëna dhe i vëllai i Dajtit dhe bashkëshortja e këtij të fundit njëkohësisht motra e të arrestuarit Xhoxhi.


Para hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, familjarët kanë shpjeguar lëvizjet që Dajti ka bërë kohët e fundit nëpër Shqipëri dhe vendet ku strehohej, si dhe takimet që ata kanë pasur me personin e shpallur në kërkim që nga viti 2003",-thanë burimet pranë akuzës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›