Dështon premtimi i Vasilit për spitalin e ri të urgjencave, mungesë mjekësh në QSUT
Spitali i ri, i Urgjencave i cili do të hapej me fillimin e muajit Qershor, sipas deklaratave të drejtuesve të QSUT-së por edhe Ministrit të Shëndetësisë duket se nuk ka asnjë sinjal pozitiv ti hapë dyert për qindra pacientë të cilët janë të detyruar të qëndrojnë për
orë të tëra në pritje për të marrë shërbimin e urgjencës. Madje në rastet më flagrante ata mjekohen edhe në korridoret e urgjencës aktuale. Sipas burimeve nga QSUT, mungesa e mjekëve urgjentistë, por edhe mungesa e fondeve mbyllëse për rregullimin e mjeteve të godinave brenda spitalit të ri duket se mban peng çeljen e dyerve të spitalit të ri të urgjencës i cili do të ndihmonte si pacientët ashtu edhe vetë mjekët. Mesa duket edhe ky premtim ashtu si shumë deklaratat e tjera të Ministrit Vasili duket se është vetëm zhgënjimi i radhës për pacientët. Sipas burimeve nga QSUT, në shumicën e rasteve në urgjencën aktuale qëndrojnë praktikantët dhe Ministri Vasili në spitalin e ri duhet ti punësojë këta mjekë të cilët janë vërtet të përkushtuar në punë. Burimet theksojnë gjithashtu se ka shumë pak mjekë të specializuar ekzaktësisht si urgjentistë term të cilin e ka përdorur vetë Ministri Vasili për specialistët e urgjencës. Ndërsa rastet në urgjencë mbeten si më problematiket burimet nga QSUT, theksojnë faktin se nuk ka asnjë sinjal apo përgatitje nga drejtoria për hapjen e urgjencës së re. Spitali i ri do të jetë në vetëm në përdorim të rasteve urgjenteve, e nuk do të jetë në funksion të probleme të tjera të QSUT-së. Një ndër shqetësimet më aktuale në spital kohët e fundit është mbipopullimi i pacientëve e radhët e gjata për shtrim. Në lidhje me këtë disa prej shefave të pavijoneve në QSUT kanë deklaruar pak kohë më parë për gazetën se shumë shpejt të gjithë drejtuesit e pavijoneve do të ti bëjnë një kërkesë me shkrim dhe nëse është nevoja do të kërkojnë edhe një takim me Ministrin Vasili për problemin e mbipopullimit të pacientëve e kaosin e shtrimeve në QSUT. Sipas tyre ky është një problem i madh që në shumicën e rasteve krijon edhe tension jo vetëm tek pacientët të cilëve ju duhet që për ditë me radhë të flenë në hotelet pranë QSUT-së por edhe për vetë mjekët tek të cilët bie përgjegjësia më e madhe. Sipas disa prej shefave të pavijoneve spitali i ri i urgjencave është thjesht një spital që në aparencë të krijon përshtypjen e një spitali modern me kushte komode por nuk mund të zgjidhë kaosin e përditshëm të shtrimeve në QSUT, proces i cili kryhet vetëm dy herë në javë e nëse një pacienti do ti duhet të shtrohet me urgjencë në spital për fundjavë kjo nuk mund të kryhet. Mjekët në kërkesën që do ti bëjnë Ministrit Vasili do ti kërkojnë zgjerimin e pavijoneve dhe krijimin e mundësive për më shumë dhoma në pavijone ose shtesa në ndërtesën aktuale të spitalit ku kurohen sëmundjet e përgjithshme, ku mund të shtrohen të sëmurët të cilët kohët e fundit duhet të presin për një kohë relatvivisht të gjatë për tu shtruar e për të zënë një shtrat në QSUT. Në pothuajse të gjitha pavijonet kaosi dhe rrëmuja e krijuar nga mbipopullimi i pacientëve dhe i të afërmve të tyre është bërë shkak edhe i një rregulloreje të re të anonçuar pak kohë më parë nga vetë drejtoria e QSUT-së ku të afërmit do të hyjnë tek të sëmurët vetëm në një orar të caktuat mbasdite.
Urgjenca e re
Sipas burimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, në godinën e re të QSUT-së do të priten të gjitha urgjencat. Brenda godinës, do të bëhen të gjitha ekzaminimet që duhen për rastet urgjente. Përfundimi i fazës së parë (nga 7 që përfshin masterplani për zhvillimin e QSUT), zgjidh një pjesë të rëndësishme të problemeve të kësaj qendre spitalore, në mënyrë të veçantë të urgjencës, por dhe shërbime të tjera të karakterit laboratorik. Ndërkohë, edhe urgjencat mjekësore do të priten nga bluzat e bardha në një godinë ndryshe nga çka ndodhur deri më sot, ku rastet urgjente janë shpërndarë nëpër godina të ndryshme, duke sjellë edhe sorollatjen e pacientëve. Kjo do të zbatohet pas pak kohësh në spitalin më të madh të vendit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", sepse godina e re tashmë ka përfunduar. Urgjenca e sëmundjeve të brendshme të infektivit, e kirurgjisë të gjitha urgjencat do të mblidhen te kjo godinë. Në këtë spital do të jetë një personel dhe ekzaminime non stop 24 orë. Brenda muajve mars-prill të vitit të ardhshëm, do të jetë gati spitali i ri në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza. Ky ka qenë edhe pohimi që ka bërë vetë Ministri Vasili rreth një vit më parë. Por edhe pse muaji Prill është drejt fundit spitali i ri qëndron me dyer të mbyllura edhe pse në të janë bërë të gjitha punimet e është gati për të filluar puna.
Projekti
Projekti i spitalit të urgjencave në QSUT është financuar (nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Evropës në vlerën 14 milionë dollarë dhe nga qeveria shqiptare me 7.4 milionë dollarë, vetëm për ndërtimin e godinës. Për pajisjet mjekësore, investimi do të financohet nga qeveria shqiptare në masën 8 milionë euro. Nga 7 fazat e parashikuara në masterplanin e zhvillimit të kësaj qendre, kjo është faza e parë e tij, ku është realizuar ndërtesa e re spitalore me 5 kate.
Sigurimet Shëndetësore, nis regjistrim elektronik i pacientëve
Informatizimi i sistemit shëndetësor, kryesisht atij parësor ishte në qendër të diskutimeve të drejtorëve të Fondeve të Sigurimeve Shëndetësore të vendeve pjesëmarrëse; Maqedonisë, Sllovenisë, Hungarisë, Lituanisë, Kroacisë, Malit të Zi etj. Shqipëria po bën përpjekje në informatizimin e sistemit, si një prioritet i rëndësishëm i Task-Forcës të drejtuar nga Kryeministri. Aktualisht ISKSH ka përfunduar procesi i depistimit dhe ka nisur tashmë procesi i regjistrimit elektronik të popullatës në Qendrat Shëndetësore, u shpreh drejtoresha e ISKSH-së Hana. Drejtoresha e ISKSH-së parashtroi disa rezultate të reformës në Parësor, të cilat u vlerësuan nga të pranishmit. Nga reformimi i mënyrës së financimit dhe kontraktimit, financimi i Qendrave Shëndetësore bëhet në bazë të një formule që nxit përmirësimin e shërbimeve shëndetësore; 85 % është pagesa për kapitacion(nr i popullatës), 10% për performancën e mjekëve dhe 5 bonus për cilësinë, tha Hana. Nga referimet e drejtuesve të Fondeve të Sigurimeve Shëndetësore, vetëm Hungaria ka nisur këtë vit të masë përformancën e mjekëve të sistemit parësor përmes 12 indikatorëve të cilësisë, ndërkohë që Shqipëria e ka nisur këtë proces që në vitin 2007. Në bazë të realizimit të indikatorëve të performancës dhe të cilësisë punonjësit e Qendrave Shëndetësore janë financuar deri në dy paga mujore shpërblim, tha drejtoresha e ISKSH-së në prezantimin e saj. Të dhënat tregojnë se performanca e Qendrave Shëndetësore ka ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit, ku në vitin e tretë të reformës pothuajse është dyfishuar niveli i realizimit të pagesës për perfomancë, nga 49.8% në 81.4 %. Gjatë vitit 2009 janë kryer 4.95 milion vizita nga mjekët e Qendrave Shëndetësore të kujdesit parësor, afro 1 milion vizita më shumë krahasuar me nisjen e reformës në vitin 2007. Në vitin 2009 Qendrat Shëndetësore janë financuar në masën 23.4 % më shumë se në vitin 2008. Sipas të dhënave të ISKSH-së, mbi 321 QSH kanë përfituar mbi 60 % të bonusit, nga 17 që e përfituan në vitin 2008; Drejtoresha e ISKSH-së referoi edhe lidhur me rritjen e aksesit të popullatës te mjeku i familjes. Në vitin 2009 kontakti për herë të parë me pacientin është rritur në masën 17 % më shumë se para nisjes së reformës. Indikatorë të rëndësishëm si: ndjekja e gruas shtatzënë, vaksinimi i fëmijës, indikatorë që tregojnë lidhje të drejtpërdrejtë me parandalimin e sëmundjeve, janë realizuar në masën mbi 95%. Gjatë vitit 2009 është dyfishuar nr. i personave që kanë kërkuar shërbime shëndetësore nëpërmjet skemës në krahasim me 2007 dhe trefishuar në krahasim me vitin përpara nisjes së reformës.