E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nata e mbretëreshave të bardha

Carmen-i në një version krejt modern, i shartuar me tinguj arabë. Një performancë e dy prej balerinëve më të suksesshëm të Tiranës, Gerti Vaso dhe Enada Hoxha. Dhe një paralerë madhështore mbi të cilën do të parakalojnë vajzat e njohura të spektaklit

dhe të botës së modës. Kjo do të jetë festa e madhe e mbrëmjes së sotme në Sheraton mbrëmja magjike e fustaneve të nusërisë. E kjo nuk është thjesht një sfilatë. Vit pas viti Geraldina Sposa e ka shndërruar eventin e saj të çdo fillim vere në një festë të vërtetë për të gjitha femrat e Tiranës. Ku jo vetëm mund të zgjedhësh fustanin e ëndërruar të natës së martesës, por mund të shijosh dhe momentet magjike që mund të kalohen në një aktivitet të tillë. Ku fermat VIP janë gjithmonë e më protagoniste. Nëse një vit më  parë ishte këngëtarja Erenda Libohova ajo që do të fitonte statusin e nuses së nderit, këtë vit do të jetë një tjetër personazh i njohur i spektaklit, emrin e së cilës organizatorët e ruajnë si surprizën e kësaj nate. Ndërsa të thonë listën e vajzave të tjera, që tashmë Geraldina Sposa i ka shndërruar në supermodele. Këngëtarja Orinda Huta e ka për të disatën herë këtë eksperiencë, ashtu se edhe Linda Poda e Matilda Meçini, Sauada Sherifi  e Xhesika Berberi, ndërsa Enxhi Kamenica, e njohur tashmë prej Big Brotherit po e eksploron për herë të parë botën e pasarelave. Dhe kjo duket se është hera e saj me fat, pasi këtë vit duket se vërtet organizatorët kanë projektuar një sfilatë show, ku nuk do të mungojnë elementet e vërtetë të një spektakli gjigand. Dekori kryesor i të cilës do të jenë sigurisht veshjet (jo vetëm) të bardha të nusërisë. Gerladina sposa sapo është vendosur sërish në start, për të shenjuar sot në mbrëmje, në ambientet e Sheraton ngjarjen e saj të radhës. Boomin e 2010-ës. Do të jenë plot 80 fustane të reja, të stiluar nga emra të njohur të botës. Përveç Manuel Mota (që me koleksionin e tij të personalizuar i bën vajzat që në natën magjike të tyre të ndihen me të vërtetë unike, pasi çdo model është ekskluziv dhe reflekton luksin që vetëm gjërat që prodhohen në mënyre artizanale mund ta kenë), apo Elie Saab (që me materiale të rafinuara dhe tantella të qëndisura, silueta të përsosura dhe funde të fryre është shprehja e luksit të sofistikuar) apo dhe Mariella Gianfrante (që stilon prej 20 vitesh koleksionet e saj Azzurra Collezione. Lider në sektorin e Modës së Lartë të veshjeve nusërore në Itali. Protagoniste e stilit të rafinuar, elegant, dedikuar një femre që dëshiron të shprehet dhe të emocionojë nëpërmjet veshjes se nusërisë) në sfilatën e këtij viti Gerladina Sposa sjell ekluzivisht dhe Secret Collection. Një formulë e njohur kjo tashmë e Geraldina Sposa-s që të çudisë me firma e trende të reja në këtë fushë. Duke zgjedhur për këto lloj surprizash nusen e duhur. Personazhin VIP, që ia kanë rrëmbyer për një natë botës së muzikës, spektaklit e gazetarisë për ta sjellë krejt ndryshe në sytë e fansave: si një nuse rrezëllitëse që bën gjithë vajzat e kësaj bote të ëndërrojnë çastin magjik të martesës, e veshur ashtu aq hijshëm e aq magjishëm.

Fëmijëria e presidentit Obama, në një dokumentar
Fëmijëria e presidentit amerikan Barack Obama në Xhakarta, është tashmë në një projekt kinematografik. Një dokumentar, i cili pritet të shfaqet gjatë këtij muaj, për herë të parë në Xhakarta më 15 qershor, në prag të vizitës së Obamës në vendin me shumicën më të madhe myslimane në botë. Nga ana tjetër ky film ka ngjallur reagime në lidhje me disa skena gjatë të cilave Obama reciton vargje nga Kurani e falet si mysliman. Megjithatë regjisori vendosi ta hiqte këtë skenë në çastin e fundit. Shkrimtari indonezian ashtu si dhe kishte bërë të ditur më parë, Damien Dematra arriti që të realizonte këtë film, që do të jetë si në anglisht ashtu edhe në gjuhën e vendit, Bahasa me regjisor John de Rantau. Një amerikan 12 vjeçar, Hasan Faruk Ali, interpreton rolin kryesor. Ali, lindur në Nju Meksiko, ka jetuar në Xhakarta. Ai tha se filmi përcillte një mesazh pozitiv për tërë fëmijët indonezianë. Ky film nuk i përket vetëm një brezi të caktuar. Ai përcjell mesazhe për të gjithë ndërkohë që iu mëson fëmijëve të ndjekin ëndrrat e tyre, pohon ai.    Ali shtoi se disa ish-fqinjë të Omamës ishin punësuar si këshilltarë për të bërë të mundur që filmi të ishte sa më afër realitetit të viteve më parë. Modelja britanike Clara Lachelle interpreton rolin e nënës së ndjerë të Obamës, Stanley Ann Dunham.

Thertorja, mirëpritet në skenën e Londrës
Shfaqja, në të cilën rolin kryesore e luan aktori kosovar Imer Mushkolaj Thertorja, është mirëpritur në skenën e Londrës. Ajo u shfaq falë një bashkëpunim me Institute for Converging Arts e Sciences të Universitetit të Greenwichit. Përveçse nga regjisorë e aktorë londinezë, shfaqja është përcjellë edhe nga njerëz të rëndësishëm të skenës teatrore dhe filmike britanike. Shfaqje vërtet e mirë. Një teatër i tillë është shumë vështirë të realizohet. Kjo që pamë ishte një punë e bërë me shumë përkushtim, tha pas shfaqjes regjisori i njohur britanik David Gothard. Me dramatizim të Tatjana Ljujicit dhe regji të Fahrudin Nuno Salihbegovicit, shfaqja është prodhim i platformës artistike ndërkombëtare SET (Beograd-Londër-Amsterdam). Shfaqja i takon zhanrit të ashtuquajtur teatër digjital, sepse përveç teatrit klasik verbal në të përfshihen edhe elemente vallëzimi, dokumentari dhe video teatri. Ndërkaq e veçantë është përdorimi i softuerit interaktiv dhe teknologjisë digjitale, gjë që bën të mundur që elemente të shfaqjes të jenë nën kontrollin e aktorëve gjatë gjithë kohës. Përveç Mushkolajt, në shfaqje luajnë edhe Janosh Bush, Vahidin Prelic, Andrijana Lubina dhe Jovana Rakic.

Last Updated on E Merkure, 02 Qershor 2010 22:21

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›