E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset, kundër procedurave tenderuese

Procedurat aktuale të prokurimit publik janë kundërshtuar ashpër nga biznesi, duke i quajtur ato si shumë burokratike.

Sektori privat, ndër të tjera shikon me dyshim edhe prokurimin elektronik, i cili nuk përmbush standardet e disa bizneseve në Shqipëri.

Këto janë një pjesë e qëndrimeve të shprehura dje nga komuniteti i biznesit, gjatë një takimi të organizuar nga Unioni i dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, ku ndër të tjera merrnin pjesë dhe ekspertë të fushës, zyrtarë të qeverisë, si dhe juristë.

Bizneset kanë kërkuar reduktimin e procedurave dhe dokumentacionit që shërbejnë për të marrë pjesë në prokurimet publike.

Gjatë takimit të zhvilluar dje në Tiranë, u trajtuan shqetësimet kryesore të biznesit dhe të disa institucioneve pranë tij në lidhje me të ardhmen e prokurimeve publike.

Duke marrë shkas nga vendimi i qeverisë, “që nga 1 janari 2009 prokurimet publike do të jenë të gjitha elektronike”, bizneset kanë reaguar negativisht me faktin se koha e përgatitjes për zbatimin e ligjit është e pamjaftueshme.

Por më shumë se kaq bizneset kanë shprehur një sërë shqetësimesh që lidhen me procedurat aktuale të prokurimit publik. Tashmë është e ditur që subjektet private detyrohen të përgatisin disa qindra faqe dokumente për të konkurruar në tenderat publikë.

Përfaqësuesit e biznesit kërkuan që në pjesëmarrjen e kompanive në prokurimet publike të fitojë status vetëdeklarimi, çka do të thjeshtonte shumë nga dokumentet që kërkohen prej autoriteteve kontraktuese.

Po ashtu mund të shihet mundësia që në vend të bilanceve për tri vitet e fundit të paraqitet vetëm xhiroja vjetore e kompanisë. U quajtën gjithashtu kërkesa të lodhshme ato që kanë të bëjnë me pasqyrat e sigurimeve shoqërore për të gjithë punonjësit apo edhe borderotë e kompanive.

Duke vënë në dukje gjithashtu shfaqje të mungesës së transparencës gjatë prokurimeve, përfaqësuesit e biznesit kërkuan që për Autoritetet Kontraktuese të ketë një sallë ofertash, ku gjithçka të shpaloset në një monitor.

Një nga kërkesat e tjera të rëndësishme të tryezës ishte dhënia e bonusit për produktet vendase të certifikuara. Koha kur pritet të zbatohet vetëm mënyra elektronike për të gjitha prokurimet (1 janari i vitit 2009) u cilësua mjaft kritike.

Sipas bizneseve, me sistemin aktual të prokurimeve kjo është e vështirë të realizohet pa investimet e duhura. Nga ana tjetër, ekspertët u shprehën se në fillim të vitit të ardhshëm mund të kemi një kolaps të të gjithë procesit prokurues.

Në qendër të shqetësimeve të organizatave të biznesit është edhe vetë Ligji i Prokurimeve. Fakti që vetëm përgjatë një viti ai është amenduar disa herë, tregon se ka vend për ndryshime dhe përmirësime.

Prokurimi elektronik

Shtrirja e shërbimit on line në të gjitha prokurimet publike është vlerësuar nga qeveria si proces transparent dhe që i sjell buxhetit të shtetit rritjen me 15% të kursimeve nga fondi limit i prokurimeve.

Agjencia e Prokurimeve Publike, nga data 1 janar 2009, nuk do të shpallë asnjë prokurim në rast se ai nuk do të jetë elektronik.

Kjo masë merret për të mbrojtur paratë e tyre dhe nuk ka për qëllim asnjë lloj kufizimi, përveçse transparencë të plotë në taksat e qytetarëve.  
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›