Berisha takon sot Merkelin: Gjermania, investitori i parë
BERLIN- Gjermania zë vendin e pare si investitor në Shqipëri. Këtë e konfirmoi dje Kryeministri Berisha në një intervistë dhënë për radion ‘Deutche Welle’, me rastin e vizitës së tij që e fillon sot. “Ne kemi marrë ndihmën më të madhe ekonomike për frymë se çdo vend tjetër në botë dhe kjo ndihmë, e cila i tejkalon 700 milionë euro, shtrihet në të gjithë vendin në sektorët më bazë si: furnizimi me ujë, furnizimi me energji elektrike, në përpunimin e ujërave, të kanalizimeve, por shtrihet gjithashtu edhe në disa fusha të tjera, si në arsim, në rendin publik, në ushtri, në kulturë dhe në shumë fusha të tjera të rëndësishme”, - shprehet Berisha në këtë intervistë. Sipas tij, vizita e tij në Gjermani do të cekë shumë çështje, si zgjerimi i BE-së, integrimi në NATO, zhvillimet në rajon. “Për mua kjo vizitë është një rast i shkëlqyer për të shprehur mirënjohjen më të thellë kancelares dhe qeverisë gjermane, kombit gjerman për bujarinë shumë të madhe, për solidaritetin e shkëlqyer që kanë treguar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke i vendosur ata në krye të ndihmës ekonomike gjermane në botë”, - thekson më tej Kryeministri. Vizita e tij, bëhet me ftesë të kancelares Merkel, zhvillohet pikërisht në 20-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani.
(s.g/BalkanWeb)