Familjet e Kukësit të vjetër, aksionerë të OSSH-së

Drejtues të shoqatës së familjeve të zonave të përmbytura nga Hidrocentrali i Fierzës vazhdojnë të këmbëngulin për një takim me Kryeministrin Berisha, të bindur se vetëm ai mundet të nxisë procesin e bllokuar prej kohësh.
Ata në këmbim të mungesës së shpronësimit sipas tregut të sotëm, kërkojnë të bëhen aksionerë në privatizimin e OSSH-së. Rreth 5500 familje, shumica nga Rrethi i Kukësit, përfshi qytetin e vjetër, u përmbytën në vitin 1978 për t’i lënë vendin hidrocentralit më të madh në vend.
Prej asaj kohe, vetëm në vitin 1993 u kërkua shpronësim nga pronarët, por vit pas viti asnjëherë nuk ka gjetur zgjidhje. Të vendosur nëpër fshatra-kampe artificiale u gjendën (pas vitit 1991) në rrugë të madhe.
Protesta e tyre në vitin 1993 me grevën e urisë uli në bisedime qeverinë, e cila dha zgjidhje të pjesshme, duke u dhënë një copë tokë në zonat e Durrësit.
Zgjidhje të pjesshme dhanë edhe qeveritë e mëvonshme, por njëkohësisht, siç kanë komentuar ekspertët që janë marrë me këtë çështje, u bënë edhe abuzime, duke lënë shumicën e familjeve të shpërngulura pa kompensim dhe në mëshirë të fatit.