E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset kundërshtojnë kufizimin

Sami Murati që në orët e mëngjesit ka ngarkuar kamionin me material ndërtimor në një depo në Ferizaj. Punëtorët që po ndërtojnë shtëpinë e tij 12 kilometra larg kësaj depoje të mërkurën është dashur të pushojnë, pasi që Samiu nuk ka arritur t’ua dërgojë materialin me kohë. Ai është vonuar për shkak se Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve më të rënda se 3.5 tonë në rrugët magjistrale dhe rajonale të Kosovës.

Bizneset që në ditën e parë të hyrjes në fuqi të këtij vendimi kanë filluar të ankohen, pasi vlerësojnë se pengon punën e tyre duke vonuar transportin e mallrave.

Megjithatë, ministria duket të jetë e vendosur të mos lëshojë pe në këtë drejtim.

Të gjitha mjetet transportuese më të rënda se 3.5 tonë nuk do të mund të qarkullojnë nëpër rrugë nga ora 8:00 deri në orën 20:00.

Ministri i transportit, Fatmir Limaj, ka thënë se këtë vendim e ka marrë në konsultim me ekspertë për shkak të temperaturave të larta dhe ngarkesës së madhe në trafik.

Ndërkaq, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kanë dalë kundër këtij vendimi duke kërkuar nga MTPT-ja ta rishikojë atë, pasi që shumë bizneseve u paralizohet aktiviteti.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës në një komunikatë të përbashkët thonë se kjo urdhëresë do të pengojë në masë jashtëzakonisht të madhe afarizmin e ndërmarrjeve të ndryshme në Kosovë.

“Duke pasur parasysh që pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve të Kosovës shfrytëzojnë vetëm transportin rrugor për bartjen dhe transportimin e mallrave të tyre brenda dhe jashtë Kosovës, atëherë urdhëresa paralizon punën e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë”, thuhet në këtë komunikatë.

Sipas tyre, në Kosovë format e tjera të transportit, siç është ai hekurudhor, nuk janë të zhvilluara në atë masë sa për t’i shërbyer ndërmarrjeve kosovare.

Po ashtu, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës vlerësojnë se një ndalesë e tillë do të rëndonte shumë edhe industrinë prodhuese të Kosovës dhe do të ishte në kundërshtim me përpjekjet e gjithëmbarshme të qeverisë për stimulimin e prodhimit vendor dhe rritjen e eksportit të vendit.

“Kufiri i peshës së automjeteve, të cilave u ndalohet qarkullimi, është jashtëzakonisht i ulët dhe një ndalesë e tillë do të mund të pengonte po ashtu edhe sektorin bujqësor, e veçanërisht tani gjatë stinës së korrje-shirjeve”.

Përveç kësaj, vlerësojnë se prurja e vendimeve të tilla të prera pa kurrfarë konsultimesh dhe njoftimesh paraprake është në kundërshtim direkt me përpjekjet e qeverisë për të bërë Kosovën vend të përshtatshëm për të bërë biznes.
Këtë vendim e ka kundërshtuar edhe kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, sipas të cilit qeveria duhet të punojë për ndërtimin e infrastrukturës fizike për t’u ndihmuar transportuesve dhe bizneseve në përgjithësi e jo të bllokojë qarkullimin e tyre.

“Duhet ta kenë parasysh se në këtë kohë kur kërkesa për produkte është më e madhe, ngadalësohet furnizimi dhe bëhet barrë për bizneset puna e natës që ndikon në çmimet e produkteve”, është shprehur Shahini.

Sipas tij, bizneset duhet patjetër të angazhojnë punëtorë shtesë dhe të zgjasin orarin e punës për të kryer furnizimin dhe transportin pas orarit të rregullt.

Më së rëndi ai thotë se do ta pësojnë fermerët, të cilët në këtë kohë janë në fazën e korrje-shirjeve dhe u kushton pengesa e transporti gjatë ditës.

Zëdhënësi i MTPT-së, Xhevdet Pozhari thotë se kjo ndalesë është bërë për të ruajtur rrugët nga dëmtimet në kohët e nxehta, por nuk tregon nëse do të ketë tolerime të transportit mbi peshën e caktuar për raste të veçanta. Sipas tij, vendimi sapo është marrë dhe ende nuk dihet nëse do të ketë tolerime për raste të tilla.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›