Hiqen nga buxheti 37 projekte rrugore
Plot 37 projekte rrugore nuk do të bëjnë më pjesë në financimin e mëtejshëm nga buxheti i shtetit, si efekt i shkurtimit të shpenzimeve. Lista e dorëzuar dje nga Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma, kishte të përfshirë projekte të njohura, si ajo e Fushë-Krujë – Milot - Rrëshen dhe rreth-rrotullimi Plepa – Kavajë – Rrogozhinë, të konsideruara nga qeveria si prioritete, pasi lidhin Shqipërinë e Jugut me Veriun. I ftuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, për të dhënë shpjegime rreth shkurtimit të buxhetit që prek rrugët, drejtori Toma tha se u janë hequr fondet atyre projekteve që nuk kanë nisur ende punimet. Para se të nisnin sqarimet rreth shkurtimit të fondeve, në komision pati një debat të zgjatur mes drejtorit të rrugëve dhe deputetëve socialistë, ku nuk munguan edhe cinizmat, ironitë, duke e kthyer mbledhjen në “teatër”.
Debati lidhej me faktin se përbri projekteve të vendosura në listën që paraqiti Toma, nuk ishin paraqitur fondet, që për anëtarët e opozitës në komision konsiderohej mungesë transparence. “Këto projekte nuk i kanë nisur punimet dhe nuk i kanë hapur ende procedurat e prokurimit. Për rrjedhojë, nuk ka se si të ishin vendosur fondet”, tha drejtori i Rrugëve, por Erjon Braçe nuk bindej, pasi në dorë kishte listën e projekteve rrugore të miratuara në nëntorin e vitit të kaluar, ku ishin vendosur vlerat e investimit.
Një diskutim tjetër lidhej me projektin shumë të diskutuar Levan-Vlorë, i cili po zvarritet për problemet që kanë pasur firmat kontraktore. “Ne si drejtori e kemi të pamundur ligjërisht të ndërhyjmë në problemet që kanë kontraktorët mes njëri-tjetrit. Ne shikojmë respektimin e kontratës, pra volumin e punës”, tha Toma, duke konfirmuar se aktualisht rruga nuk ka probleme dhe se po punon vetëm një nënkontraktor, ndërtues grek, nën drejtimin e kontraktonit që ka lidhur marrëveshje me qeverinë. Pas presionit të opozitës, drejtori i rrugëve korrigjoi veten duke thënë se në Levan-Vlorë nuk po punon asnjë nënkontrator, por vetëm firma kryesore.
Për rrugën Fushë-Krujë – Milot, mungesa e financimeve rrezikon ta kthejë në një aks të pasigurt, pasi mungon tërësisht sinjalistika dhe investimet mbrojtëse dhe disa pjesë të saj janë ende të paasfaltuara. Një tjetër aks i rëndësishëm i cili pezullohet është ndërtimi i rrugës ‘by pass’ Plepa Kavajë-Rrogozhinë në dy lote, lotin e parë dhe të dytë. Kjo rrugë bëhet problematike, sidomos tani në sezonin e verës, për shkak të fluksit të lartë të lëvizjes të pushuesve në këtë zonë bregdetare.
Në listën e gjatë nuk mungojnë edhe projektet e rëndësishme si autostrada Tiranë-Durrës, zgjerimi i rrugës në zonën e Ujit të Ftohtë, apo pjesa që lidh parkun energjetik të Porto Romanos.
I gjithë buxheti i Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike shkurtohet me rreth 8 miliardë lekë, ku gati 6 miliardë lekë i takojnë pjesës rrugore. Vetëm për Rrëshen-Kalimash, buxheti i shtetit ka akorduar rreth 10 miliardë lekë për pjesën e parë të këtij viti.