Bregu në Gjermani: Votimi i 3 ligjeve na jep statusin kandidat në BE
Gjermani- Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu zhvilloi një vizitë zyrtare në Berlin, të Gjermanisë, ku pati takime me përfaqësues të lartë të qeverisë dhe parlamentit gjerman.
Qëllimi i kësaj vizite ishte konfirmimi i përkrahjes së Gjermanisë për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit si një vend anëtar i rëndësishëm dhe mbështetës i procesit të zgjerimit.
Gjatë vizitës Ministrja u takua me Sekretaren e Shtetit për Çështjet Europiane, Emily Haber, Këshilltarin e Kancelares Merkel për Çështjet Europiane Nikolaus Meyer Landrut, Kryetarin e Komisioni Parlamentar për Çështjet e Jashtme Ruprecht Polenz, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë.
Gjatë takimit me Sekretaren e Shtetit Haber, ministrja Bregu theksoi rëndësinë që kanë reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në rradhë të parë në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptar dhe po ashtu si pjesë e procesit të integrimit të vendit në BE. Ajo gjithashtu nënvizoi se procesi i integrimit është një motivim dhe nxitje për t`i çuar përpara këto reforma në një kohë akoma më të shkurtër.
Bregu tha se është e ndërgjegjshme për dëmin që i ka bërë avancimit të mëtejshëm në procesin e integrimit, mungesa e dialogut politik dhe bojkoti parlamentar pothuajse 2-vjecar i opozitës që solli dhe mungesën e propozimit nga komisioni për dhënien e statusit kandidat 2 herë rradhazi. Megjithatë sipas Ministres, që nga nëntori i vitit të kaluar ka pasur zhvillime shumë pozitive, të cilat kanë mundësuar dhe realizimin e masës krititike të reformave të vendosura nga Komisioni për marrjen e statusit kandidat me përjashtim të votimit të tre ligjeve të cilat përmirësojnë reformat. Me miratimin e këtyre ligjeve, Shqipëria sipas ministres ka plotësuar ato kritere të vendosura për marrjen e statusit kandidat.
Bregu vlerësoi kontributin e Gjermanisë në mbështjetje të Shqipërisë si në kuadrin bilateral po ashtu dhe në kuadër të procesit të integrimit dhe i kërkoi zyrtares së lartë gjermane të vazhdojë ta mbështesë avancimin e Shqipërisë.
Nga ana e saj, Haber përgëzoi Ministren për arritjet e Shqipërisë vitet e fundit, të cilat sipas saj janë të jashtëzakonshme duke marrë parasysh historinë e popullit shqiptar dhe gjendjen politico-ekonomike dhe sociale të saj, pas diktaturës komuniste.
Ajo shprehu vlerësimin e saj për reformat në kuadër të integrimit, të cilat vijnë dhe në një vit të rëndësishëm për Shqipërinë, në 100 vjetorin e pavarësisë.
Haber theksoi mbështetjen padiskutueshme të Gjermanisë për Shqipërinë në realizimin e reformave prezente në Shqipëri prej 25 viteve dhe inkurajoi qeverinë shqiptare të vazhdojë të jetë e angazhuar në rolin e saj moderues në rajon.
/IDEA/