E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset shqiptare drejt tregut evropian, Yzeiraj për ATSH-në: Standardet dhe certifikimet janë çelësi i suksesit

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Rruga e Shqipërisë drejt tregut të përbashkët europian kalon domosdoshmërisht përmes standardeve dhe cilësisë.

Bizneset shqiptare duhet të njohin dhe të përmbushin standardet dhe certifikimet që Bashkimi Europian vendos për produktet dhe shërbimet e tyre, në mënyrë që të jenë konkurruese në këtë treg.

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj në një intervistë për ATSH-në, bën të ditur se ky është një proces sfidues, por i domosdoshëm, që kërkon ndërgjegjësim, informim të vazhdueshëm dhe investime.

“Përmes nismës “Dyfisho biznesin tënd”, po krijojmë mekanizmin financiar dhe mbështetës që e bën këtë tranzicion të mundur dhe të prekshëm për sipërmarrjet shqiptare”, shprehet ai.

Zv.ministri Yzeiraj theksoi rëndësinë e njohjes dhe përmbushjes së standardeve, veçanërisht në kuadër të kapitujve të integrimit europian që lidhen me lëvizjen e lirë të mallrave.

“Kapitujt e integrimit kërkojnë që çdo produkt apo shërbim të plotësojë standarde specifike. Shpesh produktet shqiptare nuk i kanë këto standarde ose nuk disponojnë certifikimin përkatës. Kjo nuk do të thotë se produktet janë të rrezikshme, por pa certifikim nuk mund të hyjnë në tregun europian”, u shpreh Yzeiraj.

Sipas tij, sfida e standardeve nuk është vetëm shqiptare. Ekonomi të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kanadaja apo Britania e Madhe hasin vështirësi në aksesin në tregun evropian, pikërisht për shkak të dallimeve rregullatore.

“Shpesh i konsiderojnë disa rregulla europiane si proteksionizëm të kamufluar. “Kjo e vështirëson hyrjen e produkteve të tyre në treg, edhe pse teknikisht janë të avancuara”, tha zv.ministri.

Ai thekson se integrimi evropian kërkon përmbushjen e standardeve ligjore.

“Në kapitullin e lëvizjes së lirë të mallrave janë identifikuar mbi 70 produkte joushqimore industriale, nga lodrat dhe mallrat prej druri e plastike, tek elektroshtëpiaket dhe detergjentët. Për secilin prej tyre, kompanitë shqiptare duhet të kenë standardet dhe certifikatat përkatëse. Është një punë voluminoze që kërkon njohuri dhe përgatitje të kujdesshme”, informoi ai.

Hapi i parë, sipas tij, është ndërgjegjësimi i shoqërisë dhe i sipërmarrësve.

“Është e rëndësishme që çdo operator ekonomik të kërkojë dhe të njohë direktivat evropiane që ndikojnë në sektorin e tij, duke përdorur edhe burime të thjeshta si interneti”, shpjegon ai.

Për ti ardhur në ndihmë biznesit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe partnerët ndërkombëtarë, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, po krijojnë një program që ofron informacion, trajnime dhe certifikime për të ndihmuar bizneset të përmirësojnë proceset dhe të adaptohen në sistemet digjitale të Bashkimit Evropian.

“Po krijohet një program që do të ofrojë fillimisht informacionin e nevojshëm, për të përgatitur bizneset dhe për t’i ndihmuar të kuptojnë se së shpejti do të ketë detyrime të reja për sektorët ku ato operojnë. Ky është, siç është theksuar edhe më parë, hapi i parë. Hapi i dytë do të jetë ofrimi i trajnimeve dhe certifikimeve aty ku është e mundur. Në këto raste, shteti, brenda disa limiteve, mund të përgatisë vetë paketa mbështetëse për të aftësuar bizneset që kanë nevojë të përmirësojnë proceset e tyre të punës, si dhe të mësojnë si të navigojnë në sistemet digjitale të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të jenë në përputhje me standardet e kërkuara”, tha Yzeiraj.

Yzeiraj theksoi se kur përmbushja e standardeve kërkon rritje të kapaciteteve, investime në linja prodhimi apo aftësi digjitale, shteti do të ofrojë mbështetje përmes nismës financiare “Dyfisho biznesin tënd”.

Megjithatë, shprehet ai, përgjegjësia kryesore mbetet tek biznesi.

“Çdo kompani duhet të gjykojë realisht se ku dhe sa mund t’i përmbushë detyrimet dhe të investojë për të qenë konkurruese në tregun europian”, shprehet ai.

Zëvendësministri kujtoi se integrimi është i afërt dhe se koha që ka biznesi për t’u përgatitur për të mbijetuar në këtë treg është e kufizuar.

“Nga siguria në punë, tek standardi i produkteve, çdo hap është një ndryshim cilësor. Ky është momenti që bizneset shqiptare të jenë të përgatitura, të ndërgjegjësuara dhe të gatshme për të hyrë në Tregun e Përbashkët Evropian”, tha ai.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›