PD zgjedh kryetarin, Berisha: Proces shembullor, ftoj demokratët të përmbushin këtë detyrim statutor

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon sot zgjedhjet për kryetarin që do të drejtojë forcën politike në katër vitet e ardhshme.
Kryetari i PD-së Sali Berisha, i cili është i vetmi kandidat në garë, e cilësoi procesin shembullor.
“Përshëndes të gjithë demokratët dhe demokratet që kanë votuar gjer tani në mbarë Shqipërinë në një proces shembullor. Në një proces në të cilin në mënyrën më demokratike referendare i shprehin besimin, ose shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo dhe kundër tij”, tha Berisha në një prononcim për medie pasi votoi në sallën “Gramoz Pashko”, në selinë e PD-së.
Me këtë rast, ai ftoi të gjithë demokratët e tjerë që nuk kanë votuar të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm statutor.
“Të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm ndaj një procesi më demokratik që ekziston në të gjitha partitë moderne evropiane dhe botërore, në një pjesë të tyre më falni se janë pakicë, shumica përdorin procedura të tjera duke përfshirë edhe vetëm duartrokitjen në sallë për zgjedhjen e kryetarit”, shtoi Berisha.
Berisha garantoi se do të përmbushë me përkushtim të madh detyrimet ndaj besimit të tyre.
I pyetur mbi deklaratat e ish-deputetit Ervin Salianji, i cili publikoi disa foto ku demokratët kanë shënuar emrin e tij në fletën e votimit, Berisha u përgjigj duke theksuar se “përpëlitjet e një përfaqësuesit të botës së krimit nuk mundet me asgjë të përlyejnë këtë proces më demokrat në Shqipëri”.
“Përfaqësues të botës së krimit nuk kanë dhe nuk do kenë kurrë vend në këtë parti. Ndarja jonë me botën e krimit është ndarje për jetë a vdekje. Kjo është zgjidhje përfundimtare e jona. Askush dhe asnjëri nuk mund të mendojë se të konsiderojë fuqi në këtë parti, fuqinë e krimit. Jo. Zero”, tha ai.
/m.m//a.g/