Biznesi: Burokracitë vonojnë rimbursimin e TVSH-së
Rimbursimi në kohë i TVSH-së vazhdon të mbetet problem serioz i biznesit, në një kohë që qeveria kishte premtuar përmirësim të situatës që në fillim të mandatit. Bizneset industriale po ndiejnë vështirësi në aktivitetin e tyre ekonomik, pasi nuk po marrin në kohë rimbursimin për TVSH-në e paguar. Pas ankesave të ardhura nga bizneset anëtare të Dhomës Amerikane, tashmë edhe Konfidfustria ka ngritur zërin, duke i kërkuar qeverisë të zbatojë ligjin që përcakton afatet e rimbursimit të TVSH-së. Bazuar në të dhënat e ardhura pranë saj nga sektor të ndryshëm industrialë të vendit, Konfindustria vëren me shqetësim, se vazhdojnë problemet me rikthimin e pagesave të tatimit mbi taksën e shtuar-TVSH nga institucionet fiskale për bizneset kreditore. "Pavarësisht se problemi i vonesave të rikthimit të TVSH për bizneset është i zgjatur në kohë dhe megjithëse në masë të përgjithshme ka ardhur relativisht duke u zvogëluar, kosto e shkaktuar për bizneset nga shkaku i mësipërm vazhdon të jetë i lartë. Kjo, pavarësisht zotimeve të herëpashershme të institucioneve përgjegjëse fiskale dhe qeveritare për ta eliminuar plotësisht një problem të tillë", u shprehej dje Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë. Sipas tij, bazuar në të dhënat e ardhura nga industri të ndryshme shqiptare, që punojnë për eksport, del se kemi afate të shtyrjes në kohë me muaj të tërë të rimbursimit të TVSH dhe njëkohësisht procedurat e ndjekura nga institucionet fiskale vazhdojnë të jenë tepër burokratike dhe me hapësira të shumta për subjektivizëm dhe korrupsion. Konfindustria kërkon nga autoritetet fiskale qendrore të vendit sikundër për marrjen sa më shpejt të masave të nevojshme procedurale dhe kontrollin e zbatimit të tyre në praktikë, për rikthimin në kohën e duhur të TVSH për industritë e vendit, si masë e prekshme dhe e mundshme për biznesin prodhues në kushtet e krizës globale financiare dhe ekonomike, me pasoja të ndjeshme edhe në ekonominë shqiptare.