Reali i Madridit del i gjithi në shitje
Reali i Madridit, thuajse i tëri në shitje. Duket se ky do të jetë slogani i presidentit të ardhshëm të Realit të Madridit, Florentino Perezit. Sikurse është lexuar dje në faqet e të përditshmes sportive spanjolle "Sport.es", në fakt, drejtuesit e lartë të skuadrës madrilene tashmë kanë përgatitur një listë me të gjithë lojtarët, që do të duhet të përfundojnë në vitrinat e merkatos në muajin qershor. Të vetmit që do t‘i mbijetojnë kësaj vale të largimeve, të paktën për momentin, duket se do të jenë Iker Kasijas, Sergio Ramos, Pepe, Lasana Diarra dhe sulmuesi holandez, Rud Van Nistelroi. Ndërkohë që lista e atyre që pritet të largohen është vërtet shumë e gjatë. Bëhet fjalë për plot 16 emra, mes të cilëve duket se figurojnë edhe të mëdhenj si ai i kapitenit aktual, Raulit. Megjithatë, sikurse është mësuar nga burime brenda klubit, e gjithë kjo lëvizje bëhet me një qëllimin e realizimit të tre objektivave madhorë të presidentit të ri të Realit: Blerja e Kristiano Ronaldos, Kaka dhe Mesit.