E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, tetë skenarët për ta frenuar

Edhe pse bizneset kanë ngritur me kohë shqetësimet për rënie të aktivitetit, në një kohë kur ndërkombëtarët thërrasin për kujdes, qeveria shqiptare nuk e ka ende të qartë se çfarë po ndodh me ekonominë e vendit. Fakti konfirmohet nga zyrtarë të Ministrisë së Financave, të cilët kanë nisur të vlerësojnë efektet, nëse ka, të krizës ekonomike. Pavarësisht kësaj, qeveria duket se e ka një plan për ta frenuar sadopak rënien ekonomike. Burime konfidenciale pranë Financave shprehen se, ndryshe nga vendet e tjera, efektet negative të krizës në Shqipëri duken të vogla. "Për momentin po vlerësojmë indekset e fundit mbi ekonominë. Situata mbetet ende e paqartë dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Të dhënat e fundit nuk duken dhe aq shqetësuese, nëse marrim për bazë atë çka po ndodh në vendet e rajonit dhe në BE", shprehet burimi në ministri. Megjithatë, nga Kryeministria duket se plani për të frenuar krizën është bërë gati me kohë. Ndërsa bizneset duan lehtësi fiskale, qeveria pretendon se kërkesat e tyre do të marrin zgjidhje falë fondit prej 1 miliard dollarësh, i programuar për investime publike. Brenda një harku dyjavor, bizneset në vend kanë paraqitur pranë institucioneve përkatëse paketat antikrizë, të cilat konsistojnë në shtyrje tub pagesës për kontributet, si dhe rimbursim të menjëhershëm të TVSH-së. Lidhur me uljen e taksave, ekspertët nuk presin shumë nga qeveria, "pasi reformat janë me kohë dhe para se të ndodhte kriza", kurse sugjerimi i tyre drejtohet te bizneset për shumë kujdes te financat.

Faktet

Ekonomia shqiptare rrezikon të bjerë në ritëm rritje me 3.7 për qind, si pasojë e uljes së të ardhurave dhe aktivitetit privat. Bizneset po shesin më pak se viti i kaluar, eksportet kanë rënë ndjeshëm, deficiti tregtar është thelluar, kurse bankat kanë shtrënguar kushtet për kredi. Të parët ishin ndërtuesit që ngritën alarmin, duke thirrur "ndihmë" ndaj qeverisë për më shumë kujdes në marrjen e një sërë politikash fiskale. Rreth 800 kompani ndërtimi nuk kanë punuar në 2008, duke rrezikuar rritje të papunësisë. Ndërtuesit duan të rishikohen disa VKM për referencat, si dhe zhbllokim të lejeve të ndërtimit. Edhe fasonët (industria prodhuese e veshjeve) kërkon lehtësi fiskale, si pasojë e krizës ekonomike. Ndërmarrjet në këtë sektor po mbyllen dita-ditës, ndërsa shitjet kanë rënë ndjeshëm. Pak kohë më parë bizneset anëtare të Dhomës Amerikane kërkuan kushte më lehtësuese nga ana e doganave. Ndaj të gjitha këtyre kërkesave, duket se qeveria e ka një plan. E para lidhet me fondin e investimeve direkte publike prej rreth 1 miliard dollarësh. Qeveria mendon t‘i japë dorë të fortë biznesit ndërtues, duke rritur shpenzimet në sektorë të ndryshëm. E dyta lidhet me kredinë tregtare që do të merret nga bankat jashtë vendit. Plot 300 milionë euro do të shërbejnë si valutë për tregun, që edhe pse do të shkojë kryesisht për Rrëshen-Kalimash, një pjesë do të mbetet në vend. E treta lidhet me fondin e kontigjencës prej rreth 16 miliardë lekësh. Ndër të tjera, ky fond do të përdoret për të përballuar nevojat për asistencë të individëve që do të dalin të papunë. E katërta lidhet me kredinë 25 milionë euro, të akorduar nga qeveria për "Albinvest"-in për llogari të bizneseve eksportuese. E pesta lidhet me disa lehtësi fiskale si ulja me 5 për qind e kontributeve për punëdhënësin, duke nisur nga 1 maji 2009, mospagesa e kontributeve për tre muajt e parë për punonjësit e rinj, si dhe disa masa për rimbursimin e TVSH-së.

Zef Preçi, ekspert në fushën ekonomike, sugjeron zbatimin e disa lehtësive te kontributet. Sa për ulje taksash, Preçi mendon se qeveria e ka përfunduar para kohe këtë mision, ndërsa tashmë nuk i mbetet më se çfarë të reduktojë. Agim Binaj, ekspert i ekonomisë në raport me bizneset, i sugjeron qeverisë të rrisë monitorimin ndaj bilanceve të biznesit. Sipas tij, bilance të pastra përkthehet ndryshe transparencë dhe mjet i mirë për të ndërhyrë aty ku duhet. Të tjerë mendojnë se bizneset duhet të shpenzojnë në bazë të një plani të saktë.

Plani i qeverisë

1 miliard dollarë investime publike, në favor të biznesit ndërtues

Kredi 300 milionë euro nga bankat e huaja, që shërben si valutë për tregun vendas

25 milionë euro kredi nga Ministria e Ekonomisë për eksportuesit

16 miliardë lekë të reja, fond kontigjence që do të përdoret si asistencë për individët që do të dalin pa punë

Ulje 5 për qind e kontributit që paguan punëdhënësi, duke nisur nga 1 maji

Mospagim të kontributeve për tre muajt e parë për punonjësit e rinj te fasonët

Nga marsi, pagesën e menjëhershme të rimbursimit të TVSH-së

Diferencat e tatim-fitimit të paguara më tepër nga biznesi, do të kthehen nga mospagimi i detyrimit tatimor

Çfarë duan ndërtuesit

Të zhbllokohet procesi i dhënieve të lejeve të ndërtimit

Të përfundojnë më shpejt planet rregulluese në të gjithë vendin

Lehtësi në procesin e marrjes së licencës në ndërtim

Rishikim të ligjit për prokurimin publik, sidomos ai online

Ndryshimin e tarifave për punët projektuese dhe supervizionit

Heqjen e manualit të punimeve në ndërtim dhe çmimet referencë

Të përmirësohet gjendja me energjinë dhe furnizimin me ujë

Çfarë duan fasonët

Përjashtimin deri në 50% të kontributit për periudhën e krizës

Përjashtimi për 5 vjet nga tatim-fitimi i kompanive eksportuese

Faljen e gjobave dhe të kamatëvonesave për të gjitha kompanitë

Faljen e dividentit të aplikuar mbi ndarjen e fitimit

Këstet e tatimit paraprak të rillogariten mbi baza konkrete

Rimbursimi i TVSH të bëhet menjëherë, brenda muajit pasardhës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›