E Diel, 1 Nëntor 2026

"Qeveria të lërë pasarelat demagogjike dhe të marrë masat për krizën ekonomike"

Efektet e krizës ekonomike janë shtrirë në disa sektorë të vendit, kurse qeveria nuk po merr asnjë masë për ta frenuar atë, pasi nuk dëshiron të pranojë realitetin. Vendi është zhytur në krizë të thellë, fakt i dokumentuar me të dhënat e fundit nga institucionet brenda vendit dhe ato ndërkombëtare. Ish-ministri i Financave në kohën e qeverisjes socialiste, Arben Malaj, duke folur edhe në cilësinë e ekspertit të ekonomisë ka ngritur dje shqetësimin për neglizhencën e qeverisë ndaj efekteve negative të krizës. Sipas tij, "sfidat e ekonomisë sonë po bëhen më të vështira, ndërsa qeveria vazhdon pasarelat demagogjike të çudive të ekonomisë shqiptare, duke injoruar shqetësimet e shumë institucioneve ndërkombëtare dhe aktorëve ekonomikë në vend për vështirësitë dhe risqet në rritje". Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Malaj, argumentoi me fakte se, pse ekonomia shqiptare nuk është e imunizuar nga kriza ekonomike dhe pse qeveria shqiptare nuk mund të jetë krenare për dështimin edhe të saj.

Duke marrë shkas nga sugjerimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për qeverinë ndaj rënies së ritmeve të rritjes ekonomike, Malaj nënvizoi se, shtresat sociale do të jenë më të prekura, si pasojë e reduktimit të të ardhurave. Paralajmërimet e fundit të FMN-së dhe BB-së flasin rritje të ekonomisë më të vogël se 3,7% për vitin 2009. Partnerët tanë tregtarë kanë ulje të konsiderueshme, Italia në vitin 2009 do të ketë një rritje ekonomike negative minus 2,1% dhe Greqia nga 3% zbret gati në zero për qind. Vendet e Evropës Lindore nga rreth 5,4% në 2007 në 2009 do të kenë një rritje ekonomike negative deri në -0,4%. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it, Malaj tha se, eksportet shqiptare në dhjetor të vitit 2008 ishin vetëm 4,5% më të mëdha se një vit me parë, ndërsa importet rreth 24,5 % më shumë. "Deficiti tregtar i Shqipërisë në dhjetor 2008 është rreth 29% më i lartë se një vit më parë, duke e kërcënuar më shumë ekonominë tonë", tha deputeti i partisë më të madhe opozitare, PS.

Në muajin dhjetor 2008, vijon Malaj, edhe pse qeveria keqpërdori miliarda lekë investime, importet e materialeve të ndërtimit ishin rreth 16% më pak se një vit më parë, çka do të thotë se investimet private në ndërtim janë ulur ndjeshëm. "Investimet e huaja direkt-miliarda dollarë projekte të reja të firmosura me shumë bujë janë gati në pikën zero të fillimit të tyre, ato janë prekur rëndë nga kriza e mungesës së financimeve. Nisja e tyre do të vonohet, ekonomia shqiptare dhe punësimi i shqiptarëve edhe gjatë vitit 2009 nuk do të kenë ndonjë efekt nga këto mitingje investimesh", shtoi Malaj. Ndërkaq, nga mungesa e të ardhurave të parashikuara nga emigrantët po krijohen kushte të pafavorshme për monedhën vendase. "Monedha kombëtare po zhvlerësohet jo pak, nëse pak muaj më parë një dollar kushtonte 80 lekë, dje ai kushtoi 103 lekë ose 28,7% më shumë, nëse pak muaj më parë 1 euro kushtonte 120 lekë, dje ajo kushtoi 130,3 lekë ose rreth 9% më shumë, çka do të thotë që për çdo kredimarrës në dollarë ai duhet të paguajë këtë kredi me rreth 29% më shtrenjtë dhe rreth 9% më shumë kur kredinë e ka në euro. Të ardhurat e tij mujore që shkojnë për të shlyer kreditë në valutë të huaj do të vlejnë respektivisht 29 dhe 9%", theksoi ish-ministri i Financave. Sipas tij, qeveria nuk ka burime të mjaftueshme valutore dhe nuk duhet të keqpërdorë rezervat valutore për të fshehur këtë krizë në prag zgjedhjesh elektorale. Zhvlerësimi i monedhës do të kërkojë që një pjesë më e madhe e të ardhurave të kredimarrësve të vegjël në valutë të shkojë për të shlyer kredinë, duke i varfëruar ata akoma më shumë. "Duke vlerësuar nga brenda ekonominë tonë edhe gjatë muajve të fundit është e qartë se edhe vetë Kryeministri e ka për turp të deklarojë se Shqipëria ka rritje dyshifrore", tha Malaj.

Lidhur me rritjen ekonomike, Malaj tha se, "rënia e rritjes ekonomike nga 10 apo 6% drejt rritjes me 0-2% do të jetë një kosto e rëndë për shqiptarët, aq më shumë për grupet sociale më të prekura me paga, pensione dhe fitime minimale".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›