E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Karburantet, abuzohet me çmimin e cilësinë

Biznesi prodhues i përfaqësuar nëpërmjet Konfidustrisë proteston për çmimet abuzuese të naftës dhe për ketë kërkon ndërhyrjen e shtetit. Gjergj Buxhku, administrator i Konfidustrisë, thotë se tregtimi i karburanteve me cilësi të ulët dhe abuzime në peshë dhe volum janë përgjegjësi e institucioneve shtetërore përgjegjëse për kontrollin e tregut. Ai e vë theksin në faktin se gjendja e krijuar në tregun e karburanteve si pasojë edhe e mosveprimit të institucioneve shtetërore të kontrollit të tregut, të financuara nga taksapaguesit shqiptare, është krejt e papranueshme. Biznesi prodhues ngreh zërin, sepse çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen zinxhir të kostove të të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve vendore, krahasimisht prodhimeve dhe shërbimeve të huaja, duke ulur më tej aftësinë konkurruese të bujqësisë dhe industrisë shqiptare, edhe kështu në shkallë të pakënaqshme. Pasojat e uljes së konkurrueshmërisë së mallrave dhe shërbimeve shqiptare krahasimisht atyre të huaja, si pasojë e ndryshimeve në kostot e karburantit, bazuar në të dhënat e ardhura pranë Konfindustrisë, kanë filluar të ndihen në industrinë shqiptare dhe do të jenë të rënda edhe në prodhimin bujqësor të vitit të ardhshëm, duke ulur ndjeshëm efektivitetin e ekonomisë shqiptare në përgjithësi. Aq më shumë gjendja është e rëndë kur kihet parasysh kriza e tregjeve ndërkombëtare financiare dhe ekonomisë reale dhe kur është e qartë, që ekonomia shqiptare nuk mund të mbesë e paprekur.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›