E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Pavarësisht krizës nuk hoqëm asnjë punonjës nga puna

TIRANE- Komuniteti i biznesit i paraqiti Kryeministrit Berisha të premten një sërë propozimesh, të cilat do të përmirësonin klimën e biznesit, por edhe do të rrisnin konkurrueshmërinë në treg, duke e bërë atë edhe më të përshtatshëm për konsumatorin.

Presidenti i "Biznes Albania", Luan Bregasi, gjatë punimeve të konferencës, "Biznesi - një Shqipëri konkurruese", deklaroi se janë bërë përmirësime të ndjeshme në treg, por tha ai, administrata publike shpesh herë nuk i përgjigjet vullnetit politik të kryeministrit për krijimin e një klime sa më të mirë biznesi.

Bregasi shprehu mirënjohjen ndaj qeverisë për uljen e barrës fiskale, çmimit të energjisë elektrike, taksën e sheshtë. "E mbështesim këtë politikë që ju keni bërë z. Kryeministër, por që e propozoni për ta ndjekur dhe në vitet në vazhdim. Po ashtu, vlerësojmë edhe përmirësimin e infrastrukturës së administratës doganore e tatimore. E ndjejmë se regjistrimi dhe pagimi elektronik i detyrimeve lehtësoi ndjeshëm sipërmarrjen private", tha Bregasi.

Duke evidentuar faktin se barra më e rëndë për biznesin është burokracia, Bregasi tha se efektet ekonomike një politikë i jep kur adresohet mirë. "Dua të përshëndes heqjen e parapagimit të taksave nga ana e biznesit. Dua të them se pavarësisht politikave që bëhen, biznesi ka shumë vështirësi. Kriza ka dhënë efektet e veta, por ndryshe nga vendet e tjera qeveria duhet të na e njohë si kontribut i biznesit shqiptar, i cili në kushte kaq të vështira u paraqit si biznesi më social, duke mos hequr asnjë punonjës nga puna", vijoi Bregasi.

Po ashtu, biznesi paraqiti propozime për një ndër reformat më të mëdha të qeverisë, prokurimet publike. Shpesh, sipas Bregasit, APP vlerëson si fituese ofertën më të ulët, e cila në vetvete mund të përbëjë problem.

Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha i siguroi ata se do të merren masa. Për këtë, shtoi ai, ka një Komision të Vlerësimit të Ofertave si dhe një Komision të Shqyrtimit të Ankesave, e cila është e detyruar të botojë të gjitha vendimet. "Oferta më e ulët përbën problemin më delikat. Ligji nuk detyron t'i japësh ofertuesit më të ulët të drejtën. APP duhet të jetë gardian i interesit publik", deklaroi Berisha.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga biznesi ishte edhe mos përfshirja në draftet e ligjet e qeverisë e kërkesave dhe propozimeve të komunitetit të biznesit. Përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Floreta Luli-Faber, kërkoi më shumë angazhim të biznesit në proceset vendimmarrëse të qeverisë. "Kërkojmë që zëri ynë të dëgjohet në Këshillat Konsultative për aktet ligjore. E pranojmë se ligjet janë të standardeve europiane, por aktet nënligjore sjellin frymë fare të ndryshme nga vetë ligji, duke krijuar amulli për mënyrën se si do të zbatohet ligji", tha Fabër.

Por, sipas Kryeministrit Berisha, të gjitha agjencitë janë të detyruara që para se të sjellin një draft në qeveri, të mblidhen me grupet e biznesit, në mënyrë që çdo vendim të marrë t'a kenë të konsultuar paraprakisht.

Biznesi i propozoi kryeministrit edhe përmirësimin e standardeve në tregje, heqjen e taksës së TVSH-së për paketat turistike, përmirësimin e akteve nënligjore si dhe transparencë në politikat fiskale dhe tatimore.

Përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve, duke pranuar efektet e krizës në këtë sektor me mungesë të fronteve të punës, thanë se po shikojmë mundësitë të ecin përpara me mënyra të tjera investimi. "Situata nuk e favorizon ndërtimin e pallateve", thanë ata. Ata kërkuan mbështetjen e qeverisë për kreditim, pasi, sipas tyre, ky sektor nuk po mbështet nga sistemi bankar me kredi, për të investuar në projekte dhe prioritete të mëdha, siç janë ndërtimi i HEC-eve, apo materialeve të ndërtimit.

Kryeministri Berisha i kërkoi këtij sektori rishikimin e çmimeve të apartamenteve në treg. "Tendenca e çmimeve është ulja dhe vetëm ulja, sepse kriza europiane ka bërë që kompani të mëdha të ofrohen me çmime që më parë nuk ofroheshin kurrë. Kjo tendencë do të vazhdojë, sepse globalizmi ka pasojat e veta. Duhet të bëjmë gjithçka për t'u përshatur", tha Berisha.

Znj. Faber kërkoi po ashtu transparencë në politikat fiskale dhe tatimore. Një problem serioz për ne, tha znj. Faber, është administrimi i TVSH-së dhe çmimet e referencës. "Që në vitin 2005 është thënë se çmimet e referencës do të përdoren si një referencë ligjore për tërheqjen e mallrave nga dogana, por që në fakt është një nga problemet kryesore të biznesit', tha ajo.

Tjetër problem për investitorët e huaj, nënvizoi znj. Faber, është edhe gjetja e zgjidhjeve për çështjen e pronësisë intelektuale, të drejtës së autorit, markave dhe patentave. Sipas saj, ende kjo çështje nuk është vendosur si prioritet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›