Biznesi: Respektojmë median, por dënojmë praktikat shpifëse për arsye përfitimi
Komuniteti i biznesit ka reaguar dje lidhur me incidentin e ndodhur mes sipërmarrësit Rezart Taçi dhe botuesit Mero Baze, duke dënuar dhunën ndaj një gazetari, por nga ana tjetër shpreh dhe shqetësimin ndaj asaj që po ndodh me një sipërmarrës shqiptar. Konfindustria, përfaqësuese e biznesit prodhues në vend, si dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës, pasi theksojnë respektin që duhet treguan ndaj shtypit të lirë, kanë ngritur shqetësimin e tyre kundër gjobave, apo shpifjeve për përfitime të paligjshme në emër të medias së lirë. Konfindustria Shqiptare, si përfaqësuese e industrialistëve të Shqipërisë, e shqetësuar për zhvillimet e fundit, në lidhje me ngjarjen midis biznesmenit Rezart Taçi dhe gazetarit Mero Baze, duke theksuar respektimin maksimal ndaj shtypit të lirë, dënon praktikat që janë shfaqur, në lidhje me shpifje për qëllime të ulëta përfitimi, ndaj bizneseve që kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë të vendit. Ata theksojnë se mbi 90% e kontributeve ndaj shtetit e jep biznesi privat dhe në mënyrë të veçantë bizneset e mëdha, ku këtu hyn edhe z. Rezart Taçi, Presidenti i Nderit i Konfindustrisë Shqiptare. Komuniteti i Biznesit Prodhues deklaron se integriteti moral i Rezart Taçit, vlerat e tij morale dhe impreditoriale, sfida e tij për një biznes të qëndrueshëm, e krahasuar me biznese VIP jo vetëm në Shqipëri, tregojnë jo vetëm përkushtim dhe përpjekje në rritje të biznesit, por edhe maturim në sfidën e vështirë të të bërit biznes. Konfindustria thekson se integriteti dhe fuqia e biznesit që Rezart Taçi zotëron dhe përfaqëson duhen përkrahur dhe jo denigruar, duhet internacionalizuar dhe jo mbyllur. Konfindustria shqiptare thekson respektimin ndaj shtypit të lirë, dhënien dhe informimin publik brenda kufijve ligjore dhe dënon fort, raste të informimit joreal, për qëllime të ulëta përfitimi. “Klima e biznesit, ndaj një situate dhe presioni të tillë, ku biznesi ndihet i informuar jo realisht, në emër të pseudo-shtypit të lirë, krijon një imazh negativ ndaj biznesit, jo vetëm shqiptar, por edhe atij të huaj”, - thuhet në njoftimin e Konfindustrisë. Po në të njëjtën linje ka qenë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, ku kreu i saj, Nikolin Jaku, deklaroi dje se Dhoma është në mënyrë të padiskutueshme kundër çdo lloj dhune të ushtruar ndaj çdo qytetari në çfarëdo rrethane, e aq më tepër kur bëhet fjalë për median e lirë. Jaku tha se nga ana tjetër nuk mund të jemi indiferentë ndaj faktit se njëri prej sipërmarrësve të njohur të vendit sot është në qeli, pa menduar pasojat ekonomike që mund të sjellë kjo situatë. “Ne jemi kundër çdo lloj abuzimi me lirinë e mediave, jemi kundër cenimit të integritetit të kujtdo e aq më tepër të sipërmarrësve, të cilët edhe për misionin që kanë marrë, shpesh bëhen pre e abuzimeve. Për këtë arsye, ne i bëjmë thirrje, por dhe e inkurajojmë organet kompetente që të jenë sa më të drejta në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe në vendimet që duhet të marrin”, - tha Jaku. Sipas tij, biznesi ka rol vendimtar dhe të padiskutueshëm në zhvillimin dhe integrimin e shoqërisë shqiptare. Ndaj nuk është rastësi, se ashtu siç flitet për liri të mediave kërkohet dhe klimë e përshtatshme për biznesin. Por, nëse ne goditemi në mënyrë të vazhdueshme me shpifje personale, nëse ne goditemi publikisht për shkaqe politike, nëse ne jemi pre e interesave të ngushta private, kjo nuk i shërben as progresit dhe as integrimit.