Kreu i PS-së: Ndërkombëtarët nuk na mbështesin, janë oportunistë
Në takimin e djeshëm me dy reporterët e Këshillit të Evropës, z. Jako Lakson dhe z. David Wilshire, ai ka akuzuar organizmat ndërkombëtare si oportunistë në qëndrimet e tyre dhe e ka cilësuar të pavend “hetimin” që 5 ambasadorë të rëndësishëm bënë duke takuar përfaqësuesit e Kolegjit Zgjedhor
Kur ka parë se sa vjen e shtohet lista e faktorëve ndërkombëtarë dhe vendas që dalin kundër linjës së bojkotit të Kuvendit dhe të protestave, kreu i PS-së, Edi Rama, është bërë arrogant, duke i akuzuar përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtare. Pas veshit shurdh ndaj kërkesave dhe sugjerimeve të panumërta të tyre që PS të hyjë në Kuvend, Rama ka vendosur t’ua thotë edhe në sy zemërimin e tij. Në takimin e djeshëm me dy reporterët e Këshillit të Evropës, z. Jako Lakson dhe z. David Wilshire, ai ka akuzuar organizmat ndërkombëtare si oportunistë në qëndrimet e tyre dhe e ka cilësuar të pavend “hetimin” që 5 ambasadorë të rëndësishëm bënë duke takuar përfaqësuesit e Kolegjit Zgjedhor, gjykata që dha verdiktet për çdo ankimim zgjedhor për 28 qershorin. Sipas burimeve nga ky takim, Rama ka thënë “pse duhej që 5 ambasadorë të shkonin tek kolegji zgjedhor”. Duket se kreu i PS-së që ka vendosur të bëjë opozitë jashtë institucionit më të lartë të vendit, nuk e ka të qartë se këta ambasadorë respektojnë shumë herë më shumë institucionet se fjalët e opozitës dhe gjithashtu besojnë gjykatat para pretendimeve të Ramës. Në takimin e djeshëm, i cili ishte i dyti i reporterëve të KiE-së në zyrat e PS-së, për shkak të refuzimit të Ramës për t’i takuar herën e parë. Më tej mësohet se në këtë takim Rama të jetë shprehur se “ndërkombëtarët nuk na mbështesin ne, ata janë oportunistë në raportet e tyre”. Por kreu i PS-së duket se nuk është mjaftuar vetëm me qëndrimet politike të partisë së tij karshi ndërkombëtarëve, pasi dhe i ka fyer personalisht dy reporterët, duke u thënë se “nuk i ftova televizionet për takimin, se ju nuk jeni aq të rëndësishëm”, megjithëse dy reporterët e KiE-së janë pritur nga krerët e lartë të shtetit dhe nga ministra, duke marrë një hapësirë të konsiderueshme dhe në media. Ndërkaq pas takimit bëri një deklaratë për median deputeti Ditmir Bushati, i cili përgënjeshtroi qëndrimet e dy reporterëve për opozitën. “Gjatë këtij takimi ata u informuan në detaje mbi qëndrimin e opozitës ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend. Gjithashtu me shumë kënaqësi na konfirmuan që të gjitha njoftimet që janë bërë nga zyra e shtypit e Kryeministrit dhe e Kuvendit, sikur gjoja ata kanë deklaruar për qëndrimin e tyre ndaj opozitës shqiptare, janë fakte absolutisht të pavërteta. Qëndrimi i tyre do të bëhet publik në raportin që ata do të publikojnë për Shqipërinë, të cilin ne e mirëkuptojmë se do të jetë një raport konkret dhe do t’i shërbejë demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit”, - tha ai.