Biznesi: Tatimet abuzojnë me gjobat, doganat me çmimin e referencës
Tiranë- Shoqatat e biznesit shqiptar ka shprehur sërish pakënaqësi në lidhje me gjobat që organet tatimore po vendosin ndaj bizneseve.
Gjatë një tryeze të përbashkët me Dhomës Amerikane të Tregtisë ata kanë thënë se shteti po përpiqet të rrisë të ardhurat duke gjobitur bizneset private.
“Përveçse se kontrolleve rutinore normale ka një tendencë për të gjobitur sipërmarrjet private. Duke qenë se përgjithësisht taksat në Shqipëri janë të ulëta, na duket sikur kjo fushatë rrit në mënyrë reale taksat e biznesit. Pra, taksa të ulëta dhe gjoba të larta. Kjo nuk është normale”, tha Luan Bregasi, përfaqësues i Biznes Albania.
Ndërsa kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë David Anderson, u shpreh se inspektorët e Tatimeve po abuzojnë me taksat dhe gjobat ndaj biznesit.
“Dhoma Amerikane e Tregtisë përfaqëson shqetësimet e mbi 200 anëtarëve, të cilët na kanë prezantuar ne si një çështje serioze klimën aktuale në mbledhjen e taksave. Anëtarët tanë ndjejnë se ka një keqinterpretim të Ligjeve Tatimore dhe në fakt mund të ketë edhe abuzime nga inspektorët e Tatimeve që kontrollojnë edhe regjistrimet e viteve të mëparshme tatimore”,- u shpreh ai.
Më tej ai u shpreh se politika tatimore nuk është e ndershme prandaj duhet një dialog mes administratës dhe biznesit.
Një tjetër shqetësim ka qenë edhe çmimi referencave në dogana. Sipas drejtorit të Komitetit të Taksave dhe Ligjeve Genci Boga, rritja e çmimit të referencës është shndërruar në një problem edhe për importuesit e mëdhenj
“Ne kemi katër importues të mëdhenj, ndoshta më të mëdhenjtë e duhanit që janë anëtarë të Dhomës dhe na është thënë që për çmime të njëjta me pakicë, këta zotërinj paguajnë çmime të ndryshëm me shumicë dhe kuptohet që janë çmimet e referencës që aplikohen për njërin apo tjetrin, që krijojnë diferencime që janë dukshëm më të larta”,- u shpreh Boga.
Shqetësime ka patur edhe për aplikimin e taksë së karbonit për importuesit e hidrokarbureve, pasi sipas pjesmarrësve në konferencë kjo taksë nuk bazohet në asnjë ligj.
/IDEA/