E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Te respektohen ligjet per mbrojtjen dhe te drejtat e femijeve

Respektimi i të drejtave të fëmijëve, vëmendja që u kushtohet atyre  nga qeveritë dhe avokatët e popullit ishin në qendër e konferencës ndërkombëtare të Ombudsmanëve dhe mediatorëve të frankofonisë që u mbajt në Tiranë. Kryeministri Berisha veçoi faktin se në Shqipëri analfabetizimi pothuajse nuk ekziston, por ekziston ende problemi i fëmijëve që punojnë të cilët duhen mbështetur që jeta e tyre të përmirësohet. 

“ Vendi ka njohur një progres të vërtetë në sistemin e arsimit, anafalbetizmi  pothuajse nuk ekziston. Më shumë se 92 përqind e atyre  që mbarojnë shkollën 8-vjeçare ndjekin shkollën e mesme  dhe 71 për qind e atyre që mbarojnë shkollën e mesme ndjekin universitetin. Nga ana tjetër, megjithë këtë progres evident, probleme të mëdha mbeten për t’u zgjidhur. Ekziston gjithashtu ende, shfrytëzimi i punës së fëmijëve, ekzistojnë gjithashtu fëmijë të margjinalizuar nga shoqëria, romë, ciganë, por edhe familje që jetojnë në vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale. Vendi ka një axhendë për ta adresuar më mirë problemin. E përshëndes Avokatin e Popullit, për angazhimin e tij shumë serioz në këtë fushë. Ai, gjithashtu, duhet të jetë me të vërtetë një zë i fortë në anën e tyre, një agjenci  që monitoron zbatimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve”, deklaroi Berisha.
Kjo është situata e kujdesit ndaj fëmijëve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre në Shqipërinë shtet 100 vjecar-theksoi kryeministri Berisha, ndërsa solli në vëmendje të të pranishmëve se sa i vështirë ka qenë ky shekull për shqiptarët, natyrshëm vështirësi me pasoja direkte në mënyrën se si rriten e jetojnë fëmijët 

“Dhe ndoshta, siç mund ta dini, historia ka qenë një njerkë për shqiptaret dhe jo dhe aq e bukur, ka qenë me të vërtetë shumë e vështirë dhe imagjinojeni si mund të ketë qenë për fëmijët e kombit tim. Ata kane qenë gjithmonë, viktima e parë e të gjitha vështirësive që kanë hasur në rrugën e tyre. Gjatë këtij njëqindvjeçari, vendi im ka  njohur ditë shumë, shumë  të vështira.  Por më të keqen e kanë përjetuar fëmijët e kombit tim”, vuri në dukje Kryeministri.

Kryeministri tha se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përtej mbrojtjes së të drejtave të njeriut  duket si një betejë e përjetshme, por po aq e veçantë dhe e  rëndësishme. “Angazhimi i autoriteteve qendrore dhe lokale, si dhe forcimi i institucioneve,  që punojnë për t’i mbrojtur fëmijët është shumë i rëndësishëm, për një qasje jetike ndaj fëmijëve- theksoi Berisha. Shqipëria është pranuar në Konventën e OKB-së për të drejtat e njeriut, ka miratuar një ligj dhe ka hartuar një strategji përsa i përket mbrojtjes së fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›