E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aris Haruni, 11-vjeçari që ëndërron të luajnë me Milanin

Një familje e “çmendur” pas Milanit dhe një vogëlush, sulmues i talentuar

Petrika GROSI
Arisi është 11-vjeçar, sulmuesi i talentuar i fëmijëve të “Skënderbeut” ka ardhur nga Korça në Tiranë, për të marrë pjesë këto ditë në seancat stërvitore me trajnerët e Milanit, në trofeun Milan Junior Camp. Madje ai ka shënuar rreth 25 gola, si sulmues i krahut të djathtë që është. E takuam rastësisht Arisin, bashkë me të atin, Arjanin dhe biseduam me djaloshin, mbi ëndrrat e tij, futbollin, e sigurisht Milanin, që është skuadra e zemrës e krejt familjes Haruni. Madje babai, duke ndërhyrë spontanisht tregon mbi pasionin e madh të familjes për futbollin dhe tifon e tyre për Italinë e Milanin. Arjani ka ndjekur live në Itali e gjetkë ndeshje të Milanit, ndërsa njëherë tjetër, ka qëndruar një muaj i gozhduar pranë “Via Turati”, rruga në të cilën është rezidenca e Milanit vetëm për të salutuar disa sekonda idhullin e tij, kapitenin legjendar të Milanit dhe Italisë, Paolo Maldinin.
E teksa flasim me Arisin mësojmë se ai stërvitet që prej katër vitesh në Korçë me trajnerin Gjergji Kushe. Ambjenti në Tiranë dhe trajnerët e Milanit e kanë impresionuar vogëlushin me taktikat e tyre, sjelljen, disiplinën. Me pak fjalë, vetë ai thotë se i ka vlejtur stërvitja dhe ka mësuar plot gjëra në këto pak ditë. Sigurisht që ëndrra e tij është të bëhet futbollist, e gjithashtu, edhe babai thotë se ëndërron ta shohë birin një ditë me fanellën e kombëtares, e pse jo, edhe me atë të Milanit. Arisi i vogël pëlqen Maldinin, por nëse do t’i ngjasë dikujt ai preferon Pirlon, Kakanë, e Inzagin, për vetë karakterin e tyre sulmues. “Futbolli më ka hyrë në qejf që i vogël, kur luaja me shokët në shkollë e në lagje. Pastaj edhe duke ndjekur ndeshjet në stadium e sidomos në televizor Milanin dhe Italinë”, -tregon djali. Imagjinoni, një sulmues i talentuar, për të cilin shokët grinden kush e kush ta marrë në skuadër në mënyrë që të kenë “asin nën dorë”. Megjithatë djali ka një rrëfim; Ai dëshironte që të festonte fitoren e trofeut nga skuadra e tij e zemrës, por ja që Spanja i dha fund kësaj dëshire të tij, ashtu si dhe të çdo tifozi italian. E pra, mesa duket Italia e paska zhgënjyer pak kësaj here, por prapë ajo mbetet skuadra e zemrës.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›