Biznesi i vogël, nën presionin e taksave dhe Policisë Bashkiake
Përveç goditjes së rritjes së taksave, tregtarët e Pazarit të Ri dhe të tregut Çam, po vuajnë edhe presionin e Policisë Bashkiake, e cila nuk i lejon të ushtrojnë aktivitetin tregtarë të tyre në mënyrë normale. Pas bllokimit të hyrjes së Pazarit të Ri pranë sheshit Avni Rustemi në kryeqytet, konflikti midis Policisë Bashkiake dhe biznesit të vogël është zhvendosur në ambientet e tregut Çam.
Si rrjedhojë shumë tregtarë brenda ambienteve të tregut Çam, ngacmohen çdo ditë nga policia, në lidhje me ligjshmërinë e territorit ku ata ushtrojnë aktivitetin tregtar. Ndonëse tregtarët paguajnë të gjitha detyrimet për vendin e aktivitetit tregtarë, ata shprehen se shpeshherë janë konfliktuar shpeshherë me policinë, e cila e ka izoluar aktivitetin e tyre, duke i dëmtuar ekonomikisht dhe duke ulur dinamikën e aktivitetit tregtar ditor. Pa dyshim kjo është një formë tjetër e politikës kundër biznesit të vogël. Një fenomen i tillë u shfaq pak ditë më parë, ku Policia Bashkiake bllokoi hyrjen e automjeteve në brenda Pazarit të Ri, duke vendosur zinxhirë në hyrje të tregut, çka çoi në falimentimin e të gjithë tregtarëve. Megjithatë, tregtarët dhe banorët e kësaj zone, të irrituar nga ky veprim izolues, u bashkuan dhe i kanë këputur zinxhirët, duke argumentuar këtë veprim, me falimentimin e biznesit të tyre. Tashmë sulmi është kthyer nga tregtarët e tregut Çam, të cilët përballen çdo ditë me Policinë Bashkiake për territoret që ata zënë. Policia e pretendon se ata e zhvillojnë aktivitetin tregtarë në mënyrë të paligjshme, ndërsa tregtarët pohojnë të kundërtën.