E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrim kombëtar apo bondizëm evropian?!

Nga Genc LLAKAJ*
Integrimi evropian, kjo modë e re e revolucionit ekonomiko-social, politiko-diplomatik e demokratiko-evolutiv, që rëndom e vazhdueshmërisht cilësohet si Everestiane, e paarritshme, po reklamohet mediatikisht si një mollë e ndalume për shtetet gjynahqarë si ky yni ose si një  trofe të tipit oscar për ato shtete evropiane që de-juro persekutohen si të pabëra të hyjnë në të. Pra, Evropa plakë na qenkërka parajsa dhe, ne të tjerët, të Evropës gjithashtu, qenkërkemi ferri Duke mos analizuar nëse është a jo domosdoshmëri hyrja juridiko-virtuale në EU, duke mos menduar për asnjë çast nëse Integrimi në Evropë është ose jo formula më efikase për mirëqenien e popujve pretendentë, duke mos marrë parasysh precedentët negative të këtyre kooperativave të kontinentit, duke mos llogaritur matematikisht nëse brenda këtij Unioni  edhe për shtete të vogla si ky yni,  nuk do të ketë asesi barazi si në cilësi vote e po ashtu në sasi përfitimi politiko-ekonomike, do të kisha dëshirën të mësoja se a është ky integrim evropian një proces benessere-je (mirëqenieje) politiko-ekonomike në të cilin, shtetet që e flirtojnë atë do të kenë mundësinë të integrojnë vetveten e si pasojë të jenë një pjesë e shëndetshme e një  integrimi të tillë kolektiv? Personalisht, jam pesimist. Pesimizmi im, në këtë rast, mendoj se është i ligjshëm. Pra, dilema është: a do të ndihet, për shembull, qytetari shqiptar, gjerman, italian a francez si i tillë kur ai nuk do të mundet të gëzojë statusin e identitetit të tij? Po ndërgjegjja përpara fëmijëve të vet?  Çdo tju thotë një qytetar shqiptar fëmijëve të vet mbi identitetin etno-kulturor të origjinës, nesër kur ata të kërkojnë të dinë së cilët janë dhe çfarë vendi zënë në një komunitet të tillë? Kjo logjikë kinse  abstrakte, pra logjika e të mohuarit apo të mosvlerësuarit të vetvetes, që është faktike dhe e gjallë ende, jo vetëm në mentalitetin, por edhe  në praktikën e shqiptarëve,  është një produkt i virusur i koshiencës së politikanëve tanë e atyre të të EU-s që po  vrasin pa dashur identitetin kombëtar shqiptarë me pretekstin këmbënxituar të integrimit në Evropë. Mos vallë ky farë integrimi i konsideron shqiptarët majmunë dhe përbërësit e vet njerëz? Dhe duke qenë majmunë, eja ti zbusim se pas do na vinëpo çështë vallë gjithë kjo etje marramendëse për tu futur aty ku historikisht jemi? Qytetarët etnikë shqiptarë, nga veriu a jugu qofshin, duhet të dinë se duke analizuar se si pse dhe në çfarë mënyre do të sillen etnikisht, brenda këtij unioni, kanë të drejtën legjitime të pyesin nëse janë gati për këtë bashkim a jo... Ju garantoj që nuk janë ende gati. Pse? Ja sepse ..
Nuk ka dyshim që qytetari i Prishtinës a Pejës, kur të jetë edhe juridikisht qytetar i Evropës së Bashkuar, do të prezantohet, edhe pse në gjuhën anglo-saksone, si shtetas kosovar. Ai i Tetovës a Shkupit si qytetar i Maqedonisë. Ai i Çamërisë e ka bërë tashmë prezantimin e vet-si nënshtetas grek. Qytetari shqiptar i Malit të Zi si qytetar i po këtij  shteti. Po qytetari i Shkodrës dhe Vlorës, si do të prezantohet nëpër Evropë? Sigurisht si qytetar i Shqipërisë administrative... Ja pra, këto janë 5 interpretime të ndryshme nga i njëjti brumë.  Them i njëjti brumë, sepse këta personazhe-qytetarë të marrë si etalon, janë të së njëjtës etni, kombësi... këtu qëndron edhe kontradikta. Pak a shumë ky fenomen të kujton filmat agjenturorë të  Jeims-Bond-it i cili nga një skenë në tjetrën, për arsye sigurie, ndërronte identitet.  Mos vallë  ky bond-izëm është një formulë evropiane e servirur i cili po kërkon, me dashje ose jo, të kamuflojë identitetin e shqiptarëve duke e medaljuar atë herë në një formë e herë në tjetrën për të mirën e tyre? Duke i shfaqur ata herë si qytetarë kosovarë e herë si grekë, herë si qytetarë maqedonas e herë si malazez? Ndërsa te Jeims-i ndryshimi i identitetit bëhet për shkaqe sigurie të vetë personazhit, po te shqiptarët, mos vallë bëhet me qëllimin e mirëqë ata të jenë thjesht hije dhe jo realitet brenda Evropës së Bashkuar? Thjesht aktorë-figurantë dhe jo faktorë?! Edhe të qënurit hije ka dy të vërteta: e para kamuflon, në shembullin e mësipërm bondin, nga identifikimi i kundërshtarëve e si pasojë nga frika e eliminimit fizik edhe të tij, e dyta i heq bondit të drejtën e të qënurit vetvetja për arsye madhore. Ky operacion, me  gjuhën e luftës së ftohtë,  përkthehet eliminim artificial i identitetit- njëri për arsye sigurie dhe zëvendësim i identitetit të tij me një të rremë- identitet të ri. Pra, në rastin tonë, Evropa e Bashkuar kërkon nga ne shqiptarët të na fusë në gjirin e saj të kamufluar e njëkohësisht me pesë a gjashtë pasaporta-kombëtare të ndryshme. Kjo shaka gajasëse të kujton atë barsoletën e kinse ballistit të veshur si partizan, por që në fakt nuk ishte as ballist e as partizan, por gjerman!!! Fakti që Evropa, apo të fortët e saj vendosën të bashkohen në një shtëpi të vetme, është element pozitiv, e nuk ka dyshimin as më të vogël. Ashtu siç është imperative edhe kushtetutshmëria e saj, e cila sanksionon si parim themeltar të këmbëqëndrimit të po kësaj Evrope të Bashkuar, aleancën politike, ekonomike, diplomatiko-juridike të shtet-kombeve që janë pjesë e saj e mbi të gjitha sanksionon një union identitetesh. Si rrjedhojë shqetësimi im nuk lidhet me frikën e integrimit evropain, por me integrimin evropian të shqiptarëve të paintegruar mes tyre. Mendoj se, në qoftë se shqiptarët do të integrohen pjesë-pjesë në Evropë, do të jenë si ajo molla që nga njëra anë është e kuqe dhe nga tjetra, për shkak të mungesës së diellit, e bardhë. Pra, një frut që nuk ngjan as me mollën e as me dardhën, por që i ngjan më tepër një fruti hibrid të sajuar në laboratorë për interesa studimi. Edhe shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Çamërisë e Shqipërisë do tu ngjajnë hibrideve artificialë të laboratoruar nga Fuqitë e Mëdha të Evropës qysh prej 1913-tës. Kjo gjysmëzgjidhje e çështjes shqiptare sigurisht që do të ngelet e tillë deri sa shqiptarët të kuptojnë përfundimisht se nuk është Evropa ajo që bënë shqiptarët evropianë, por janë shqiptarët e integruar në vetvete që bëjnë një Evropë të Integruar

*Sekretar Organizativ i Shoqatës për Bashkim Kombëtar

Last Updated on Tuesday, 28 April 2009 13:25

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›