E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha injoron çamët në takimin me kryeministrin grek Karamanlis

Kryeministrat nuk e përmendin çështjen e pronave të Shqipërisë Jugut  
Vizita e djeshme e kryeministrit grek Karamanlis vërtetoi katërcipërisht para shqiptarëve se politika shqiptare është një politikë puthadore ku përpara interesave të shqiptarëve vihen interesat e posteve të tyre qeveritare. Parlamenti shqiptar i gjithi në unison priti me servilizëm kryeministrin e shtetit grek, duke paqyruar para shqiptarëve se ky parlament si çdo parlament tjetër në gati 20 vite pluralizëm diktohet nga politika e Athinës. Çështja çame, një nga çështjet më imperative për atë pjesë të popullsisë që ka pronat, pasuritë dhe gjithçka në shtetin helen, nuk u përmend në asnjë moment nga kryeministri shqiptar, i cili nxitoi të konsiderojë të mbyllur këtë problem.Çështja çame nuk ka qenë pjesë e takimeve që kryeministri grek, Kostas Karamanlis ka zhvilluar në vendin tonë, me krerët më të lartë të shtetit. Gjatë takimit që kryeministri Berisha ka zhvilluar me homologun e tij grek, Kostas Karamanlis nuk është përmendur fare çështja çame. Në këtë drejtim, qëndrimi i Athinës është mëse i qartë, se kush kërkon prona duhet ti drejtohet gjykatës dhe se zgjidhje politike për këtë çështje nuk do të ketë asnjëherë. Edhe pse para dy ditëve, para se kryeministri grek të mbërrinte në vendin tonë, çamët kanë protestuar duke kërkuar hapjen e dialogut ndërqeveritar për pronat e tyre, çështja çame nuk ka qenë pjesë e diskutimeve, por ka kaluar në heshtje të plotë. Protestuesit kanë thënë se nëse marrëdhëniet mes vendeve janë të mira, ashtu si deklarohet, atëherë duhet gjetur një zgjidhje për këtë çështje që po mbahet peng prej historisë. Përmes ambasadës greke në Tiranë, Shoqata Çamëria i kishte kërkuar takim kryeministrit Karamanlis, por ky i fundit u është refuzuar.
Berisha-Karamanlis, për zgjidhjen e pensioneve të emigrantëve
Gjatë takimit të zhvilluar midis kreut të qeverisë shqiptare, Sali Berisha dhe homologut të tij grek, Kostas Karamanlis në Tiranë janë vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëdhëniet dypalëshe. Një çështje e diskutuar në takim ishte rënia dakord që ministritë e të dy palëve të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e pensioneve, si për emigrantët tanë në Greqi dhe për qytetarët grekë. Në konferencën për shtyp, kryeministri Berisha ka vlerësuar se mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk ka probleme të pazgjidhura, ku ndër të tjera ka konfirmuar se në takimin me homologun grek ka biseduar veç bashkëpunimit ekonomik, luftës kundër korrupsionit edhe për minoritetin grek në vendin tonë. Ai ka veçuar faktin e informimit të homologut grek për aplikimin e Shqipëria, ditën e sotme për vendin kandidat në BE, e ftuar nga Presidenca Çeke. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë ka veçuar se Shqipëria po përmbush të gjitha kriteret dhe standardet për zgjedhje të lira duke përmendur në këtë drejtim angazhimin maksimal të qeverisë. Ne jemi të kënaqur për progresin në të gjitha aspektet. Unë e sigurova kryeministrin Karamanlis se synimi i qeverisë sime është të mbështesë minoritetin grek që jeton në Shqipëri, theksoi Berisha. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se ministritë përkatëse do të bashkëpunojnë në kuadër të sigurimit të pensioneve për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi po edhe për shtetasit helenë, që ndodhen në Shqipëri. Ndër të tjera, shefi i qeverisë shqiptare ndërsa vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, shtoi më tej se Shqipëria dhe Greqia nuk kanë asnjë çështje të hapur mes tyre. Vendi im ka pasur një mbështetje të fuqishme nga Greqia për proceset e saj integruese në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ne nuk kemi çështje të mbetura pezull, pasi ato janë zgjidhur tashmë. Unë mora mbështetjen e mikut tim Karamanlis për rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian dhe liberalizimit të vizave dhe e garantova atë, se qeveria ime është e vendosur të plotësojë të gjitha kërkesat, që lindin në këtë drejtim duke filluar me vullnetin për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, vijoi Berisha. Në konferencën e përbashkët, pas një takimi të zhvilluar në selinë e kryeministrisë, Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike që janë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pasi konfirmoi se ka marrë garancitë se qeveria e Karamanlis është e gatshme të nxisë më tepër investitorët grekë të vijnë në Shqipëri, kryeministri Berisha falenderoi edhe për investimet e deritanishme greke, sidomos për ndërtimin e autostradës nga Konispoli në Sarandë. Ndërsa homologu i tij grek, Karamanlis vlerëson se Athina mbështet dhe inkurajon perspektivën evropiane të Shqipërisë. Kryeministri grek ka vlerësuar hapat e bëra nga dy vendet, duke theksuar se minoriteti grek në Shqipëri është një nyje e rëndësishme në marrëdhëniet mes fqinjëve. Sipas tij, emigrantët shqiptarë japin një kontribut të çmuar për ekonominë greke dhe shqiptare. Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, ka inkurajuar investitorët grekë që të vijnë të investojnë në Shqipëri, duke kërkuar nga qeveria shqiptare që të krijojë lehtësirat e nevojshme në këtë drejtim. Ndër të tjera, kreu i qeverisë greke ka deklaruar se Greqia është ndër vendet e para të BE, që shikon pozitivisht perspektivën e liberalizimit të regjimit të vizave me Shqipërinë, ku kusht themelor veçoi zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Athina do ta mbështesë dhe do të inkurajojë perspektivën europiane të Shqipërisë, duke filluar me liberalizimin e vizave. Ne po ndjekim me kujdes plotësimin e kushteve qe kërkohen, siç është respektimi i të drejtave të minoriteteve, lufta kundër korrupsionit dhe zgjedhjet sipas standardeve të kërkuara, është shprehur kryeministri grek, Kostas Karamanlis në konferencën për shtyp me homologun Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›