E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi kundër CEZ: Po na mbyt me gjoba abuzive

 Jaka: Janë gjoba abuzive që shkojnë deri në 1 milionë lekë të reja

Gjobat CEZKompania CEZ e ka zhytur në gjoba sipërmarrjen private. Biznesi është ankuar për shuma abuzive të gjobvënies që shkojnë në 1 milionë lekë të reja. Lidhur me këtë çështje ka reaguar dje Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, e cila denoncoi publikisht gjobat abuzive të CEZ.

Dhoma e Tregtisë

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka thotë se bëhet fjalë për fatura të lëshuara me vonesë nga punonjësit e CEZ Shpërndarje, por që përllogariten si kamatvonesë për energjinë e papaguar. “Shqetësimet e sipërmarrësve që kanë mbërritur në Dhomën e Tregtisë argumentojnë se CEZ Shpërndarje dërgon në mënyrë abuzive në selitë e tyre gjoba për kamatvonesat të papaguara në shifra marramendëse. Kemi të bëjmë me rastet kur faturat janë lëshuar me vonesë nga CEZ-Shpërndarje dhe tani përllogarisin sikur kompanitë apo sipërmarrjet duhet të ishin ato të detyruara që të merrnin këto fatura dhe i llogarisin si kamatvonesa. Kemi të bëjmë me një presion të hapur që i bëhet sipërmarrjes. Realisht gjobat variojnë nga 500 mijë deri në 1 milion lekë të reja, por ka edhe gjoba mbi këtë shifër”, thotë Jaka.

Ndërprerja e energjisë

Më tej z.Jaka thotë se ka pasur raste kur ndaj këtyre bizneseve është marrë masa e ndërprerjes së energjisë elektrike po në mënyrë abuzive. “Ka raste kur CEZ operon nëpërmjet gjykatës, pa e njoftuar fare subjektin. Me anë të urdhër-ekzekutimeve bllokohet llogaria bankare dhe më pas ndërpritet energjia elektrike”, tha Jaka. Dhoma e Tregtisë i kërkon CEZ Shpërndarje të heqë dorë nga gjobat abuzive ndaj biznesit, siç shprehet z.Jaka dhe të përmirësojë furnizimin me energji për sipërmarrjet që kohët e fundit ka munguar si pasojë e defekteve të ndryshme.

Situata

Ndonëse CEZ raporton se që nga janari (kohë kur kompania ka kaluar nën administrimin e qeverisë) është përmirësuar performanca e kompanisë dhe janë rritur arkëtimet, gjobat abuzive ndaj biznesit vërtetojnë të kundërtën. Në fakt krahas biznesit janë me qindra familje në Shqipëri që nuk paguajnë energji elektrike dhe që janë debitorë ndaj CEZ. Paralajmërimet ndaj tyre nuk kanë reshtur, po ashtu edhe ndërprerjet e energjisë por ndërgjegjësimi ndaj popullatës mbetet në nivelin zero. Vjedhja e energjisë dhe mospagimi i saj janë fenomene që nuk po gjejnë zgjidhje në vendin tonë, pavarësisht drejtimin të kompanisë CEZ, nga pala shqiptare apo ajo çeke.

 

1

milion lekë të reja variojnë gjobat e vendosura nga CEZ kundrejt bizneseve. Dhoma e Tregtisë e quan këtë presion ndaj sipërmarrjes private

 

63 %

ka arritur niveli i arkëtimeve nga 59 % që ishte në kohën kur CEZ drejtohej nga grupi çek. 48 % kanë zbritur humbjet në rrjetin e shpërndarjes nga niveli 51 % që ishte më parë

 

217

milionë dollarë ka arritur të shlyejë CEZ nga detyrimet e vjetra. 130 milionë për periudhën (2011-2012), si dhe 87 milionë të tjera shlyerje detyrimesh për vitin 2013

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›