E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi paraqet tek ministri Prifti propozimet për TVSH-në



Konfindustria njofton se i ka paraqitur zyrtarisht z. Dritan Prifti me cilësinë e kryetarit të Këshillit Konsultativ të Biznesit (KKB) kërkesën për të ndryshuar Projektligjin e përfshirjes në skemën e Tatimin e Vlerës se Shtuar (TVSH) të biznesit të paraqitur nga Ministria e Financave. Njëkohësisht, Konfindustria ka paraqitur pranë KKB dhe variantin e saj me propozimet për përmirësim të skemës së përfshirjes në TVSH e biznesit.

Konfindustria, në kërkesën dhe variantin e saj paraqitur pranë ekzekutivit shqiptar ka pasur parasysh: - realitetin fiskal të vendit ku evazionit me ligj i krijohen mundësitë për të përfituar pikërisht nga shkëputja e zinxhirit të transaksioneve tregtare si pasojë e pragjeve të xhiros vjetore për përfshirjen në TVSH, - aftësitë e pamjaftueshme administrative të institucioneve të fiskut, - përvojën e përditshme të industrive më të rëndësishme të vendit, që ndeshen me probleme të konkurrencës së padrejtë pikërisht si pasojë e evazionit fiskal dhe si rrjedhim i rezistencës së të ashtuquajturve “biznes i vogël” për lëshimin e faturave fiskale me qëllim moskalimin e pragjeve të xhiros, - përputhjen e skemës së TVSH me detyrimin e vendosjes së pajisjeve fiskale. Konfindustria në thelbin e kërkesës së saj ka kërkuar, që përfshirja në skemën e TVSH të mos vazhdoj të bëhet bazuar në pragun e xhiros vjetore, sikurse përsëri kërkohet në projektligjin e paraqitur nga qeveria shqiptare, por të jetë e detyrueshme për të gjithë subjektet ku do të vendosen “kasa fiskale” dhe ku përjashtim mund të bëjnë vetëm kategoria e biznesit te “tregtareve ambulante”. Konfindustria arsyeton se ulja e pragut të përfshirjes së bizneseve në skemën e pagesës së TVSH nga 8 milionë në 5 milionë lekë nuk mund të arrijë qëllimin e mirë të uljes së evazionit fiskal. Është mjaft e mundur, që nga ana e bizneseve të vogla të kemi trysni të shtuar për të ulur shkallën e deklarimeve nën pragun e ri prej 5 milion lekësh/vit duke shtuar ndjeshëm evazionin fiskal. Të dhënat e deritashme, që vijnë pranë Konfindustrisë tregojnë, se është rritur shkalla e vështirësisë në lëshimin e faturave fiskale nga bizneset e vogla, që kërkojnë të qëndrojnë nën pragun e ri të shpallur prej 5 milionë lek/vit, shoqëruar dhe me vetëmbyllje ose falimentin të sforcuar të mjaft subjekteve, me qëllim vazhdimin e punës si subjekte të reja të pakontrolluara me parë nga institucionet fiskale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›