E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ndryshon ligjin për kazinotë

Ndryshimet më të mëdha kanë të bëjnë me bastet sportive. Ulet tatimi mbi të ardhurat por rriten tarifat fikse


Drafti i ri me ndryshimet e propozuara nga financat është dorëzuar në Kuvend. Pritet shqyrtimit në Komisionin e Ekonomisë


TIRANË - Qeveria ndryshon për të dyten herë brenda vitit ligjin për lojërat e fatit duke përshkallëzuar edhe më tej sistemin e taksimit mbi këtë biznes. Ndryshimet më të mëdha kanë të bëjnë me detyrimet tatimore për kompanitë që ushtrojnë aktivitetin e basteve sportive.


Në ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave, vërehet ulje e ndjeshme e përqindjes së tatimit mbi qarkullimin vjetor të kompanive.


Sipas ligjit që është ende në fuqi, kompania organizatore e basteve sportive paguan tatim mbi lojërat e fatit 10 për qind të qarkullimit total, po jo më pak se 2 milionë lekë në muaj për çdo pikë të hapur.


Ndërsa në ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave, tatimi mbi qarkullimin vjetor zbret në nivelin e 5 për qindve ndërsa është bërë një riformulim i tatimit fiks për çdo pikë të hapur duke e përshkallëzuar atë në bazë të numrit dhe zonës në të cilën ushtrohet aktiviteti.


Kështu, nëse një kompani bastesh ka hapur në të gjithë territorin e vendit më pak se 99 pika, për secilën prej tyre do të paguajë nga 10 milionë lekë në muaj. Për ato që nën varësinë e tyre kanë nga 100 deri 149 pika bastesh do të paguajnë nga 12 milionë lekë në muaj për secilën, ndërsa nga 14 milionë do të paguajnë ato kompani që kanë mbi 150 pika të hapura.


Pjesë e ndryshimeve kanë qënë edhe tarifa fikse mujore për çdo njësi.
Sipas ligjit aktual, për çdo pikë basti të hapur në rrethe të kategorisë së parë duhet të paguhej një tarifë mujore fikse 60 mijë lekë, për rrethet e kategorisë së dyte 40 mijë lekë, ndërsa për ato të kategorisë së tretë 30, mijë lekë.


Në ndryshimet e propozuara nga financat, tarifa fikse për çdo pikë të hapur në rrethe të kategorisë së parë ulet në 40 mijë lekë, për ato të hapura në rrethe të kategorisë së dyte ulet në 30 mijë lekë. Edhe për pikat e hapura në rrethe të kategorisë së tretë, tarifa mujore fikse ulet nga 30 mijë lekë në 20 mijë lekë.


Përllogaritet që të ardhurat totale vjetore të deklaruara nga kompanitë që zhvillojnë baste sportive të jenë rreth 400 milionë lekë, ku sipas ndryshimeve të propozuara, krahas tarifave fikse shteti do të vjelë 5 për qind të kësaj shume.


Megjithëse të gjitha këto të ardhura vijnë nga sporti, sipas ligjit në fjalë shuma që do të ndahet për këtë sektor është 0.2 për qind e totalit.


Ndryshim tjetër ka të bëjë edhe me organizimin e lojërave të fatit "bingo në salla" dhe "bingo televizive". Për të dyja këto kategori sipas ligjit të vjetër, kompania organizuese duhet të kishte një kapital jo më të vogël se 50 milionë lekë.


Ndërsa, propozohet që kjo shumë të mbetet e njëjtë për "bingot televizive" dhe të ulet në nivelin e 20 milionë lekëve për ato që organizohen në salla.


Ligji, kumarxhinjte do të publikohen në internet


TIRANË- Ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit i njohin të drejtën familjarëve të personave të varfër ose që kanë krijuar varësi ndaj kumarit të kërkojnë moslejimin e futjes së tyre në ambientet e brëndshme të pikave të lojërave në të gjithë vendin.


Me një shtesë të bërë në nenin gjashtë të ligjit, Ministria e Financave, ka shpjeguar të gjithë procedurat që duhet të ndjekë dikush për të kërkuar moslejimin e familjarit të tij të luajë kumar.


Kështu, është detyrim i organizatorit të lojërave të fatit që të mos lejojë të hyjë në ambientet e tij një person për të cilin ka kërkesë me shkrim nga njëri prej familjarëve të tij. Kërkesa duhet të jetë e noterizuar dhe dorëzohet pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit bashkë me një certifikatë familjare ku të vërtetohet lidhja midis tij dhe personit për të cilin bëhet denoncimi.


Pas marrjes së këtij denoncimi, ky organ njofton të gjitha subjektet që operojnë në fushën e lojërave të fatit për të mos e lejuar personin në fjalë të luajë në këto mjedise. Për t'u theksuar është fakti se njoftimi publikohet në faqën zyrtare të njësisë.


Por, publikimi i emrit në faqën zyrtare të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, ka hapur debat mbi shkeljen e privatësisë.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›