Bastexhinjtë ; Emrat e të denoncuarve nga familja, në internet
Të luash në kazino apo lojëra fati, duhet të jesh një klient i respektuar në radhë të parë nga familja jote. Qeveria dërgoi në Kuvend ndryshimet e reja ligjore sipas të cilave, nëse familja denoncon një familjarin e vet se me lojën e tij po dëmton familjen, atëherë ai humbet të drejtën e të luajturit në kazino. Jo vetëm kaq, por Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të publikojë në faqen e saj të internetit emrat e personave që u ndalohet luajtja në kazino. Ndryshimet e reja parashikojnë edhe sanksione si dhe procedurën e denoncimit, që një anëtar i familjes mund të bëjë për familjarin e vet. Mjafton një denoncim i noterizuar tek Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, dhe personi në fjalë ndalohet të luajë, ndryshe kazinotë që i shërbejnë rrezikojnë shumë.
Bastexhinjtë të cilët luajnë fatin e tyre apo të familjeve në kazino, mund të bëhen gazi i botës nëse ata nuk heqin dorë nga basti. Ashtu siç kishte paralajmëruar, Këshilli i Ministrave dërgoi në Kuvend ndryshimet e reja ligjore. Në këtë projektligji thuhet, se njëri nga familjarët nëse është i shqetësuar për njërin nga anëtarët e familjes së tij për kumarin, mjafton të bëjë një denoncim të noterizuar pranë Njësitë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, dhe bllokon menjëherë personin që të ushtrojë vesin e tij. Projektligji parashikon që kazinove dhe lojërave të fatit t‘u jepen emrat e personave të denoncuar nga familjarët. Nëse ata shihen duke luajtur, atëherë kazinoja do të përballet me sanksione të rrepta financiare. Por nuk është vetëm kjo pikë. Krahas dërgimit të emrave nëpër kazino të bastexhinjve ordinerë, Njësia e Lojërave të Fatit do të publikojë në faqen e saj të internetit emrat e tyre. Kështu, nëse ata vijojnë me vesin e tyre, do të bëhen publikë. Një tjetër detaj i projektligjit është se tashmë asnjë person nën 18 vjeç nuk mund të shkojë dot në kazino. Çdokush duhet të mbajë me vete një dokument identifikimi. “Organizatorit të lojërave të fatit i ndalohet të punësojë dhe të lejojë të futen apo të luajnë në mjediset e lojërave të fatit persona nën moshën 18 vjeç. Organizatori merr masa të ndalojë të luajë në mjediset e lojërave të fatit një person mbi 18 vjeç, për të cilin ka një kërkesë me shkrim, të paktën prej njërit nga familjarët, i cili, për shkak të gjendjes ekonomike familjare, kërkon moslejimin e këtij personi, të hyjë në mjediset e lojërave të fatit. Kërkesa duhet të jetë e noterizuar dhe depozitohet pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Kërkesës i bashkëngjitet një kopje e certifikatës së gjendjes familjare.
Pas marrjes së këtij denoncimi, NJMLF-ja njofton të gjitha subjektet që operojnë në fushën e lojërave të fatit për moslejimin e këtij personi të luajë në këto mjedise. Njoftimi publikohet edhe në faqen zyrtare të njësisë”, -thuhet në nismën e re ligjore.
Projektligji
Propozimi i këtij projektligji synon rishikimin e disa dispozitave të ligjit në fuqi, pasi gjatë zbatimit në praktikë të këtij ligji kanë dalë probleme, të cilat mbeten për t'u zgjidhur, rishikimin e nivelit të taksimit për bastet sportive dhe të masës së gjobës, në rastet e kundërvajtjes administrative.
Në nenin 1, të projektligjit, propozohet riformulimi i nenit 6, të ligjit në fuqi, duke ndryshuar edhe emërtimin e nenit "Mbrojtja nga lojërat e fatit". Riformulimi i këtij neni synon që të ndalohen të luajnë në mjedise e lojërave të fatit personat mbi 18 vjeç, për të cilët ka një denoncim, me shkrim, nga njëri nga familjarët. Familjari depoziton pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit një kërkesë të noterizuar, së cilës i bashkëngjitet kopja e certifikatës së gjendjes civile, me anë të së cilës kërkon ndalimin e anëtarit të tij të familjes, për të luajtur në këto mjedise. Pas marrjes së këtij denoncimi, NJMLF-ja njofton të gjitha subjektet, që operojnë në fushën e lojërave të fatit për moslejimin e këtij personi të luajë në këto mjedise. Gjithashtu, në këtë projektligj propozohet liberalizimi i dhënies së licencës për kazino, pa përcaktim të zonave, ku do të hapen, apo të numrit të tij. Sipas projektligjit, aplikantët, që duan të pajisen me licencë për kazino duhet të plotësojnë kriteret kryesore, të parashikuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, që do të dalin në zbatim të tij, (neni 2 dhe nenet 5-10). Gjithashtu, janë rishikuar edhe tarifat për marrjen e këtyre licencave, ku është parashikuar një rritje e tyre.
Neni 4 i projektligjit bën një rregullim ligjor për përmbajtjen, që duhet të ketë udhëzimi i ministrit, jo vetëm për mënyrën e pagesës së tarifave fikse, por edhe për mënyrën e përdorimit të këtyre të ardhurave nga NJMFL-ja, duke marrë parasysh se nga data 1 janar 2010, kjo njësi do të financohet nga të ardhurat e veta.
Gjithashtu, projektligji propozon rishikim, me ulje të masës së gjobës, në rastet e kundërvajtjes administrative, nga 1 një milion lekë, parashikuar në ligjin në fuqi, në 500 mijë lekë.
Gjithashtu, në këtë nen është propozuar të ulet masa e gjobës për ushtrim veprimtarie të paligjshme për kazino elektronike. Në rast se një person ushtron veprimtari në fushën e kazinosë elektronike, pa njoftuar NJMLF-në, sipas procedurave të parashikuara në këtë ligj, personi juridik, që kryen kundërvajtjen, dënohet me gjobë, në masën 500 mijë lekë (për çdo makinë) nga 1 milion lekë për çdo makinë, parashikuar në ligjin në fuqi.
Ulja e masës së gjobës për kategoritë e propozuara parashikohet pasi këto gjoba, sipas ligjit në fuqi, janë shumë të larta dhe mund të përbëjnë rast për mospagimin e tyre.
Neni 16, i projektligjit, përcakton mënyrën e përdorimit, nga NJMLF-ja, të të ardhurave, që sigurohen nga gjobat.
10 milionë USD për licencë
Projektligji i ri parashikon edhe kushtet financiare dhe ligjore për të marrë licencë për kazino. Kështu në rast se dikush do të hapë kazino në Tiranë, duhet të paguajnë 1 miliard lekë të reja ose mbi 10 milionë dollarë. Në zonën e Durrësit duhet 6 miliardë lekë ose diçka më shumë se 6 milionë dollarë ndërsa në rrethet e tjera 3 miliardë lekë ose rreth 3 milionë dollarë. Për licencë kazinoje të madhe, Këshilli i Ministrave përcakton kushtet për garën e saj.
Bastet sportive, 50 % të fitimeve për lojtarët
Organizatori i basteve sportive paguan tatim për lojërat e fatit 5 për qind mbi vëllimin e qarkullimit, gjithsej, të realizuar në bazë të arkëtimeve nga shitja e biletave, por jo më pak se për 1 deri në 99 NIPT-e, 10 milionë lekë në muaj, për çdo shoqëri, që kryen këtë veprimtari. Për 100 deri në 149 NIPT-e, 12 milionë lekë në muaj, për çdo shoqëri, që kryen këtë veprimtari dhe mbi 150 NIPT-e, 14 milionë lekë në muaj, për çdo shoqëri, që kryen këtë veprimtari.
Organizatori duhet t'u kthejë lojtarëve, në formën e fitimit, jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë.
Sanksionet
Projektligji parashikon gjobë deri në 5 milionë lekë të vjetra nëse një nga pikat e këtij ligji thuhet. “50 për qind e të ardhurave nga gjobat përdoren nga NJMLF-ja për investime, si për mekanizimin, informatizimin, përmirësimin e kushteve të punës, dhe 50 për qind përdoren në formën e shpërblimit mbi pagë, për vështirësi në punë, në përputhje me akte, ligjore e nënligjore, në fuqi”, - thuhet më tej në projektligj. Njëkohësisht inspektorët e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit kanë të drejtë të pajisen me armë zjarri.