Kazinotë, 600 mln lekë licenca në Durrës
Qeveria rriti me 300 milionë lekë tarifën për marrjen e licencës për kazino në rrethin e Durrësit
TIRANË- Pas Tiranës, rrethi i Durrësit do të ketë koston më të shtrenjtë të marrjes së licencës për hapjen e një kazinoje. Qeveria ka propozuar rritjen në 600 milionë lekë të tarifës për marrjen e një licencë në këtë rreth duke bërë diferencën me rrethe te tjera të vendit.
Sipas ligjit të aktual, për marrjen e licencës për të hapur një kazino në Tiranë, investitori duhet të paguajë 1 miliardë lekë, ndërsa në qytetet e tjera 300 milionë lekë.
Licenca merret për një periudhe dhjetë vjeçare dhe në përfundim të këtij afati, subjekti duhet të aplikojë përsëri për rinovimin e saj. Gjithashtu, operatori i pajisur me licencë nuk mund të hapë më shumë se një kazino.
Pjesë e ndryshimeve në ligj, është edhe përgjysmimi i gjobave për shkelësit.
Nëse më parë, gjoba për kundërvajtje administrative ishte 1 milionë lekë, tashmë ajo është ulur në 500 mijë lekë. Në të njejtën shifër është ulur edhe gjoba për veprimtari të paligjshme për kazinotë elektronike.
Nga 1 milionë lekë ajo është zbritur në 500 mijë lekë. "Ulja e masës së gjobave për kategoritë e caktuara bëhet pasi sipas ligjit në fuqi ato janë shumë të larta dhe se mund të përbëjnë rast për mospagimin e tyre", - citohet në relacionin e projektligjit në fjalë.
Gjobat, janë edhe të ardhurat me të cilat sipas këtij projektligji do të financohet edhe aktiviteti i Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Rreth 50 për qind e tyre do të përdoren për investime në këtë njësi ndërsa pjesa tjetër për pagesa të shpërblimeve, vështirësi pune, etj.
Buxhuku: Ulja e pragut të TVSH-së e pasuksesshme
TIRANË- Konfindustria e cilëson si të pasuksesshme uljen e pragut të përfshirjes së bizneseve në skemën e pagesës së TVSH nga 8 milionë ne 5 milionë lekë. Kreu i saj, Gjergj Buxhuku, parashtroi dje para Këshillit Konsultativ të Biznesit , kërkesën për të ndryshuar Projekligjin e përfshirjes në skemën e Tatimin e Vlerës se Shtuar si dhe propozimet për përmirësim të skemës së përfshirjes në TVSH të biznesit.
Sipas tij, ulja e pragut të përfshirjes së bizneseve në skemën e pagesës së TVSH nga 8 milionë ne 5 milionë lekë nuk mund të arrijë qëllimin e mirë të uljes së evazionit fiskal. Madje është mjaft e mundur, që nga ana e bizneseve të vogla të ketë trysni të shtuar për të ulur shkallën e deklarimeve nën pragun e ri prej 5 milionë lekësh në vit duke shtuar ndjeshëm evazionin fiskal.
"Të dhënat e deritashme, tregojnë, se është rritur shkalla e vështirësisë në lëshimin e faturave fiskale nga bizneset e vogla, që kërkojnë të qëndrojnë nën pragun e ri të shpallur prej 5 milionë lek/vit, shoqëruar dhe me vetëmbyllje ose falimentim të sforcuar të mjaft subjekteve me qëllim vazhdimin e punës si subjekte të reja të pakontrolluara me parë nga institucionet fiskale.
Dukuria në fjalë tregon, se ende pa hyrë në fuqi varianti i ri i propozuar nga Qeveria Shqiptare kemi shtim të trysnisë për evazion fiskal nga biznesi i vogël, që në mënyrë të detyrueshme do të shfaqet në të gjithë hallkat e sipërme të sistemit tregtar shqiptar", - tha Buxhuku.