E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi rritet ngadalë, individët janë në rënie

Kredia Shqiptarët duket se kanë hyrë në vitin e dytë me vështirësi ekonomike

Banka e Shqipërisë deklaroi dje se, sipas analizave të saj, konsumi privat në Shqipëri ka qenë i përmbajtur gjatë muajve të parë të këtij viti dhe se shqiptarët po priren drejt kursimeve.
“Vlerësime të tërthorta dhe paraprake sugjerojnë se ritmet e konsumit privat kanë qenë të përmbajtura, të kushtëzuara nga burime më të kufizuara të financimit të tij dhe nga orientimi më i madh i konsumatorëve drejt kursimit”, deklaroi guvernatori Ardian Fullani pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës.

“Shkalla e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi, ritmet e ulëta të kredisë për investime dhe rënia e importit të mallrave kapitalë e të ndërmjetëm, sinjalizojnë për një tkurrje të investimeve private edhe gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Kërkesa për mjete monetare e sektorit privat vazhdon të jetë e ulët, duke reflektuar ngadalësimin e aktivitetit ekonomik”, vijoi më tej Fullani.
Pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, ritmi vjetor i rritjes së kreditimit për këtë sektor u ngadalësua më tej në 4.8 për qind në muajin mars. Kërkesa e bizneseve për kredi vazhdon të jetë burimi i vetëm i rritjes së kreditimit, ndërkohë që kredia për individë vijon të tkurret në terma vjetorë për të pestin muaj radhazi. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë dhënë edhe sinjalet e para për një lehtësim të kushteve të kreditimit nga ana e bankave, por ky hap është ndërmarrë vetëm për bizneset e mëdha.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›