E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi shpreh shqetësim për mosfaljen fiskale

Sipas Konfindustrisë, kjo falje ka humbur hapësirën kohore më të përshtatshme të vitit të zbatimit të procesit në fjalë, që përkon me kthimin e emigrantëve për pushimet e verës në atdhe.

“Pikërisht kthimi i tyre i përvitshëm me rastin e pushimeve të verës duhet të shoqërohej me një strategji të qartë ligjore dhe teknike të përgatitur me kohë nga ana e ekzekutivit, me qëllim që të bëhej e mundur ndërgjegjësimi, sqarimi dhe zbatimi në praktike i faljes fiskale për qytetarët.

Do të ishte me ndikim të ndjeshëm për mirë në ekonominë kombëtare hyrja e flukseve financiare nga jashtë në kushtet kur kërkesa për likuiditet nga biznesi është tejet e madhe dhe pasojat e krizës botërore janë të prekshme. Aq më shumë do të ishte e rëndësishme kryerja e faljes fiskale dhe rritja e të hyrave financiare në ekonominë shqiptare pas shkurtimeve të thella qeveritare në buxhetin e ndryshuar në korrikun e vitit 2010” thuhet në reagimin e Konfindustrisë.

Shqetësimi i mësipërm i Konfindustrisë-vijon deklarata -vjen ndërkohë, që vendet e tjera konkurrente të rajonit po veprojnë me shpejtësi deri ne veprime të dëshpëruara për tërheqjen e flukseve financiare ndërkombëtare drejt ekonomive të tyre.

Kihet parasysh sa më sipër nisma e fundit e qeverisë së Malit të Zi për shitjen e nënshtetësisë për qytetarët e huaj, që investojnë 500 mijë euro, vendimin e paradokohshëm të Qeverisë së Greqisë për fillimin e zbatimit me shpejtësi të amnistisë për hyrjet në sistemin bankar të depozitave nga vendet e treta, faljen e përsëritur e të njëpasnjëshme fiskale të Qeverisë së Italisë, etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›