E Diel, 1 Nëntor 2026

Korriku i favorshëm për Trustin e Kursimeve Pensionale

Prishtinë, 15 gusht - Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka pranuar raportet zyrtare përfundimtare nga menaxhuesit e mjeteve për muajin korrik 2010. Këto raporte tregojnë për një performancë mjaft pozitive të investimeve të Trusti-t për këtë periudhë, me një rritje të vlerës së aksioneve prej 2.74 për qind apo, në vlerë monetare, një rritje prej rreth 11,5 milionë euro, pa përfshirë taksën menaxhuese, thuhet në një komunikatë të Trustit.

Ky kthim pozitiv e ka rritur çmimin e aksioneve të Trusti-t në 0.98 euro nga rreth 0.95 euro që ishte në fund të muajit qershor. Kjo rritje e vlerës së mjeteve të Trusti-t ka bërë që të ngrihet edhe shuma e mjeteve në menaxhim në mbi 427 milionë euro.
Rritja e vlerës së kthimit nga investimet e Trusti-t në tregjet financiare përmes asetmenaxherëve, ka ardhur drejtpërdrejt nga përmirësimi i tregut të aksioneve dhe i tregjeve financiare në përgjithësi. Shkaqet për këtë përmirësim erdhën nga ulja e rrezikut të krizës së borxheve në disa vende të Bashkimit Evropian, çka solli edhe kthimin e besimit në monedhën euro. Gjithashtu përmirësimi i dukshëm i eksporteve
gjermane i dha mjaft shtytje rritjes ekonomike të BE-së. Ndërsa në SHBA, përveç se u  arrit të ndërpritet derdhja e naftës në Gjirin e Meksikës, pati rritje të numrit të të punësuarve, edhe pse jo në nivelet e pritura.
Sidoqoftë, edhe pse edhe vitin 2010 tregjet financiare nuk e kanë fituar ende një stabilitet të qëndrueshëm, të dhënat tregojnë se tregjet financiare, deri në fund të gjysmës së parë të 2010-s, kanë qenë me më pak oscilime se sa në vitet 2008 dhe 2009.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›