Biznesi shqiptar i përgjigjet thirrjes, dërgohen kamionët e parë me ndihma
Thirrjes së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për t’u solidarizuar në dhënien e ndihmave për zonat e përmbytura, biznesi i ka dhënë përgjigje pozitive. Kështu, dje kompanitë private kanë nisur drejt Shkodrës ndihmat e para konkrete në nevojat më emergjente që vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, kërkoi në takimin e dy ditëve më parë me biznesin, që kishin të bënin kryesisht me ujë të pijshëm, me bukë dhe karburant. Në drejtim të Shkodrës është nisur kamioni i parë me karburant nga “Kastrati”. Kompania “Miell” sh.p.k me përfaqësues Roland Hysa ka nisur një kamion me miell. “Agna Group”, me përfaqësues Vasil Naçi, ka vënë në dispozicion shumën 2.5 milionë lekë të reja, që do të shkojnë në vlerën e produkteve të kësaj kompanie, kryesisht në ujë të pijshëm. Po kështu, “Ferlut” me përfaqësues Ferdinand Ibrahimin ka dërguar për zonat e përmbytura kamionë me qumësht. Ndihma këto që po shtohen në çdo moment dhe nga biznese të tjera. Gjithashtu, për t’u njohur më nga afër me situatën dhe për të shprehur solidaritetin e biznesit të Tiranës, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, ishte dje në Shkodër ku pati takim me zv.kryeministrin, Ilir Meta, me Prefektin e Shkodrës, Maxhit Cungu, si dhe me shefin e Emergjencave Civile, Alfred Olli. Në këtë takim, zoti Jaka shprehu solidaritetin e biznesit për banorët e zonave të përmbytura, duke bërë të qartë se “në këtë jemi të gjithë bashkë dhe do të japim ndihmën tonë me të gjithë mundësitë që kemi”. Gjithashtu, ai vuri në dijeni se Dhoma po kontakton dhe me homologet e saj në Evropë, duke saktësuar se përgjigja e parë pozitive ka ardhur nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit, të cilët do të nisin ndihma për banorët e zonave të përmbytura.
Biznesi kosovar, 120 mijë euro për zonat e përmbytura
Biznesi solidarizohet me thirrjen e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Biznesi i Kosovës i bashkohet biznesit të Tiranës në dhënien e ndihmave për banorët e zonave të përmbytura në veri të vendit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, vjen në Shqipëri me një grup biznesi për të dhënë kontributin e tyre financiar. Në emër të këtij biznesi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, i cili shoqërohej dhe nga dhjetë sipërmarrës kosovarë, deklaroi kontributin e tyre në vlerë 120 mijë euro. “Kjo është një shumë, e cila ka një vlerë simbolike, por me anë të kësaj duam të shprehim solidaritetin tonë të plotë me banorët e këtyre zonave”, - u shpreh Beqaj, duke shtuar se populli i Kosovës është më afër se kurrë në këto momente dhe se ndihma nga ana e sipërmarrësve kosovarë do të jetë e vazhdueshme deri në momentin e përmirësimit të plotë të situatës. Grupi i biznesmenëve nga Kosova u prit dje edhe nga Prefekti i Qarkut, të cilët kanë dërguar ndihma ushqimore për llogari të zonave të përmbytura dhe që u magazinuan pranë rezervave të Shtetit në Gjadër.