E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Basha, thirrje banorëve për evakuim, situata ende kritike

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, duke parë nga afër situatën në Shkodër, e ka quajtur atë problematike dhe u ka bërë thirrje banorëve që të largohen nga banesat e përmbytura për në vendet e pritjes të ndërtuara nga shteti. "Njolla e përmbytjes nuk është zvogëluar, niveli i ujit vazhdon të mbetet i lartë... ne kemi një shkallë jashtëzakonisht të lartë ndjeshmërie, përgatitje operacionale për të vazhduar evakuimin, ndaj kërkoj nga popullsia vendase, të cilën edhe një herë dëshiroj ta përgëzoj për bashkëpunimin e deritanishëm, për kurajon e lartë që ka treguar, por kërkoj edhe një herë bashkëpunimin e tyre që të vazhdojë evakuimi me çdo kusht në të gjithë zonën e përmbytjes”, - deklaroi ministri, kreu i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, i cili prej disa ditësh inspekton dhe monitoron nga afër situatën në Qarkun e Shkodrës. Ministri Basha foli edhe për gjendjen e qytetit dhe rreziku i përmbytjes që vjen nga liqeni, duke siguruar se po merren masat e nevojshme, ndërkohë që ka filluar edhe ndërhyrja në liqen. “Me porosi të Kryeministrit Berisha, prej katër ditësh janë kontaktuar autoritetet malazeze dhe greke, në bashkëpunim me flotën detare dhe Institutin e Hidrografisë, të cilat kanë bërë matjet përkatëse në liqen, kanë filluar ndërhyrjet e para. Duhet të jemi të qartë se këto ndërhyrje do të japin efektin e tyre, por jo të menjëhershëm. Prurjet në Liqenin e Shkodrës, të padëshmuara më përpara historikisht, janë nga një numër i madh përrenjsh dhe lumenjsh, të cilët e furnizojnë atë kryesisht nga territori i Malit të Zi”, - deklaroi z. Basha. Numri një i Ministrisë së Brendshme foli edhe për evakuimin e të gjithë banorëve nga zonat e përmbytura. “Janë marrë dhe po merren masa për evakuimin e lagjeve që rrezikohen nga përmbytja, janë marrë dhe merren masa hidrosanitare nga Drejtoria e Shëndetit Publik këtu në Shkodër, nga Ministria e Shëndetësisë, e cila ka detyra konkrete për të realizuar nga prefektura dhe sektorë të tjerë, ndërkohë që ne do të vazhdojmë operacionet tona të evakuimit edhe për ato lagje të qytetit që cenohen nga rritja e nivelit të lumit Buna”, - përfundoi ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›