E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elektra /Guximi i regjisorit provincial!

Kërkimi në mitin e “Elektrës” jo siç e sjell Euripidi, nxitëse të krimit, dorase, por në realizmin psikologjik të Sofokliut. Ky depërtim ka nxitur regjisorin Adonis Filipi, që ka punuar për dhjetë vjet, në Teatrin “Skampa” në Elbasan, dhe tani është në krijimtari të lirë, duke sfiduar regjisorët e kryeqytetit me veprën antike, tragjedinë “Elektra”. Guximi i regjisorit të provincës në një vepër antike, në institucionin e qendrës që përvojën e ka të papërfillshme, ashtu si edhe aktorët të paushtruar – është një sipërmarrje e vështirë. Vepra do të jetë gati në fund të muajit, ose fillimmars. Ndërsa regjisori na jep në intervistën e mëposhtme këndvështrimin e tij, pse është shtyrë drejt antikitetit dhe thellësisht tek Elektra. Aktorët janë garancia e tij, por dhe nga lind fenomeni pse tek regjisorët rrallë gjen krijimtari origjinale. Adonis Filipi që provon për herë të parë tragjedinë antike, nuk është çudi të na befasojë, por dhe të na zhgënjejë. Megjithatë regjisori kujton thënien e Aristotelit: Ne krijojmë, ju gjykoni!

Ju jeni një regjisor që vini nga teatri i “Skampa”-s i qytetit të Elbasanit. Çfarë ndjesish përjeton një regjisor i provincës kur vjen në teatrin e qendrës, të kryeqytetit?

Për mua nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Së pari mendoj që në raport me teatrin, në marrëdhënie me të, është një marrëdhënie permanente, korrekte dhe konsekuence. Pra, më tepër profesionale. Kudo që ka një mjedis teatror puna e një regjisori duhet të jetë ekzigjente për të bërë një punë të denjë, për një profesionist. Në këtë kontekst diferencat nuk bëhen vetëm midis qyteteve, por edhe midis trupave teatrore, ku njëra apo tjetra mund të jetë më cilësore, por ekzigjenca e regjisorit duhet të jetë njësoj.
E dyta, është eksperienca ime dhjetëvjeçare, gati në mënyrë permanente, zyrtare, si regjisor i teatrit “Skampa”, më pas kam qenë në krijimtari. Aktiviteti im është shtrirë jo vetëm brenda Elbasanit, por edhe jashtë Shqipërisë në Maqedoni, Rumani, Itali, duke qenë regjisor shfaqjes, por dhe drejtues workshop-esh, në seminarë etj. Por gjykoj se Tirana, kryeqyteti pra, për më tepër statusi i Teatrit Kombëtar është një nga institucionet më të rëndësishme, ku kujdesi dhe interesi për vlerat kombëtare, për vlerat e teatrit është brenda ambicies dhe një statusi shumë më profesional.

Cili është repertori i krijimtarisë suaj, eksperienca konkrete në teatër?

Eksperienca ime është sa e teatrit tradicional, aq edhe në teatrin modern dhe absurd. Duke nisur që nga Molieri, Çehov apo duke vënë në skenë dhe dramaturgët tanë siç janë Ruzhdi Pulaha, Teodor Laço, apo Agim Hila në eksperiencat e mia të hershme dhe siç thashë duke u hedhur tek Çehovi, Dario Fo, prej të cilit kam gjashtë vepra të vëna e të rivëna. Kam lëvruar dhe operuar shumë në dramaturgjinë e absurdit si të Ioneskos dhe ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua, po ashtu edhe me Woody Allen, dramaturgu amerikan David Mamet dhe së fundi Tennessee Williams,
dhe sikurse thashë është një eksperiencë si brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku janë gati 30 vepra skenike në 28 vjet karrierë.

Ju do të vini në skenë si regjisor, një premierë absolute, siç është tragjedia antike “Elektra” e Sofokliut, ndërkohë që keni një përvojë të mëparshme në TK, me vënien e dramës “Menaxherja e qelqtë”, që kaloi pa zhurmë. Për se të kalojmë tek “Elektra”, mund të na thoni se si e përjetuat këtë paraqitje të parë si regjisor para publikut kryeqytetas?

“Menaxherja e qelqtë” nuk ishte produksion i mirëfilltë i Teatrit Kombëtar, por një co-produksion, më tepër një nismë private, enkas nga Monika Lubonja që ishte protagoniste e atij projekti. Më zgjodhën si regjisor bashkë me miratimin e aktorëve, me kastën tjetër të aktorëve të njohur si Yllka Mujo, Arben Derhemi dhe vetë Lubonja që kishte rolin e menaxheres dhe Neritan Liçaj. Ishte një klimë shumë artistike, por vepra kam përshtypjen nuk pati atë impakt menaxhues. Mendoj, se defekti është i menaxhimit, se për sa i përket impresionit duke iu referuar profesionistëve, ata që e kanë ndjekur, shfaqja cilësisht është përcjellë e vlerësuar.

Çfarë më bëri përshtypje ka lidhje me stafin e aktorëve. Ju nxorët para vetes tuaj, punës si regjisor, punën e aktorëve. Pra, ju këtë shfaqje ia dedikoni një bashkëpunimi me aktorët që janë me emër, që ju garantojnë suksesin?

Kur përmenden aktorët, e kam thënë dhe herë të tjera, vlerësoj se teatri frymon dhe përcillet përmes aktorëve. Kështu që mendohet mirë në zgjedhjen e kastit të aktorëve. Përpos kësaj, natyrisht edhe vokacioni ka vlerat e veta, por rëndësi kanë vlerat e brendshme të aktorit, vlerat profesionale. Nëse këto vlera janë të gërshetuar edhe me vokacionin e tyre, kjo ka të bëjë pastaj edhe me marketingun. Por në radhë të parë kjo ka të bëjë me përcjelljen dhe qasjen skenike, sepse aktorët e rrisin kualitetin e mesazhit, të kumtit emocional të veprës. Sepse, në fund të fundit, teatri flet dhe frymon përmes aktorëve, pavarësisht se ato të gjitha i nënshtrohet vizionit të perceptimit.

Kjo do të thotë që ju jeni nga ata regjisorë që nuk sakrifikoni në kërkime të reja aktoriale, dhe se keni nevojë patjetër për aktorë me emër në staf. Mos është dobësi e regjisorit që të zgjedhë aktorë të mirë?

Jo, absolutisht jo. Mendoj, se zgjedhja e aktorëve është kërkesë thelbësore. Siç thashë edhe më lart, për të përcjellë trupëzimin e veprës skenike ajo materializohet përmes aktorëve. Dhe sa më i lartë të jetë kualiteti i aktorëve, ndjeshmëria dhe inteligjenca e tyre, aq më tepër është i garantuar spektakli dhe performanca e ardhshme.
Prandaj jo vetëm për mua, por në përgjithësi, është profesionale, ekzistenciale që teatri, regjia si ajo e para 100 vjetësh, njihej si disiplinë artistike. Do thosha se, teatri ka ardhur gjithmonë përmes aktorit. Kështu që zgjedhja e cilësisë së aktorëve është ndër pikat kryesore. Madje do thosha, se selektimi është një nga pikat që krijojnë avantazhe për një shfaqje të ardhshme. Sa më tepër selektive të jetë kjo në përputhje me genin artistik të veprës dramatike, sepse aty është orientimi bazë, aq më tepër mendoj rritet pritshmëria rezultative e spektaklit të ardhshëm.

Premiera e “Elektrës” për Teatrin Kombëtar është një lajm ekselent, duke u nisur nga fakti se jo vetëm institucioni, por dhe aktorët nuk janë ushtruar dhe nuk ka krijuar traditë për vënien në skenë të tragjedive antike. Aq më tepër që pritshmëria për të ndryshuar Teatri në këta 20 vjet, nuk ka ndodhur për të dalluar qartë nga skematizimi i trashëguar, e parë kjo si një lloj dembelizmi për të ndryshuar. Juve pse e morët këtë vepër, çfarë ju nxiti?

Kjo që thoni është provokuese për Teatrin. Kërkimi që bëni për të nxitur sipërmarrjen është po ashtu vlerësuese. Por, për një regjisor, për një krijues në përgjithësi, emergjenca mendoj se është pika më nevralgjike, për të sjellë preokupimin, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë për atë që krijohet.
Për sa i përket eksperiencës, përvojës në drejtim të aplikimit të tragjedisë së antikitetit, faktikisht ka një lloj zbrazësie që kohët e fundit ka filluar të provokohet, të preket nga Teatri, por sigurisht vështirësia është, se në fund të fundit një nga cilësitë e aktorit është eksperienca. Në filozofinë dhe në politikat e një institucioni qendror sikurse është Teatri Kombëtar lëvrimi i antikitetit apo i dramaturgjisë shekspiriane mendoj se duhet të jetë emergjencë, një nga politikat primare ashtu siç thotë edhe Piterburgu “eko e çdo vepre teatrore duhet jetë eko e dramaturgjisë shekspiriane, ose e antikitetit” . Në këtë kontekst mendoj se është politikë e drejtë rikthimi drejt kësaj. Kjo do të thotë se shkalla e vështirësisë është e madhe, por teatri nuk duhet të mbetet i izoluar. Kjo lloj politike që teatri po ndjek, për të aplikuar dhe mbështetur sipërmarrje të tilla, që dashje pa dashje rrisin shkallën e vështirësisë, krijon edhe eksperienca. Pse u atraktova, drejt kësaj vepre antike? Sepse edhe unë kam këtë filozofi jo vetëm për veten time, po dhe për të tjerë, duhet të jetë një nga ambiciet dhe ekzigjencat e çdo regjisori për të prekur një ndër pikat kulmore të historisë së teatrit botëror.

Dhe pikërisht guxuat ta nisnit me “Elektrën” këtë përvojë tuaj të re me antikitetin... Cilat janë kërkimet tuaja?

Kërkimi im ka qenë pak i gjerë. Eskili, Sofokliu dhe Euripidi janë tre tragjedianët më të mëdhenj, të të njëjtit shekull, që shkruan Elektrën, por çuditërisht Sofokliu më ka krijuar një tërheqje të veçantë për shkak të atij lloj realizmi psikologjik që e ka shumë të prekshëm. Sigurisht isha ndërmjet “Antigonës” dhe “Elektrës”, por mua faktikisht më tërhoqi Elektra, pasi brenda këtij personazhi, pa diskutuar kompleksitetin e vlerave të veprës, është shumë i koncentruar veprimi dramaturgjik. E dyta është problematika e Elektrës, duke qenë sfidë njerëzore, do të ishte një mundësi për të na afruar drejt saj. Nga ana tjetër do ishte një pikë reference e vlerave estetike dhe etike.

Elektra e Sofokliut ndryshon nga ajo e Euripidit, është më nguruese, nuk ka monstruozitetin e vrastares, dorases, nxitjes së krimit - kështu e shpjegojnë sa herë rastis që regjisorë të huaj zgjedhin njërën prej tyre. A ka ndonjë motiv tek ju si regjisor për nxitje reale, si mesazh?

Ju po flisni për një perceptim estetik. Mbase kjo është një pikë tjetër e zgjedhjes së Elektrës së Sofokliut. Mesazhi është i mrekullueshëm për shoqërinë tonë që ka të bëjë me sfidat njerëzore në mbrojtje të vlerave njerëzore, dhe familjes, kur sot jemi përballë shumë problemeve të destruktivitetit familjar. Në këtë kontekst vepra për problematikën e saj është shumë aktuale, një nxitje reale për ta vënë në skenë.
Fabula e veprës me pak fjalë: Agamemnoni, që është prijësi i trupave greke i cili pushtoi Trojën në kthim ka marrë me vete skllaven e tij që është Kasandra. Në momentin që mbërrin në pallatin mbretëror, e shoqja e tij, Klitemnestra, bashkë me të dashurin e saj, Igistin, i cili është njëkohësisht edhe kushëriri i parë i Agamemnonit, e vrasin. Vrasin Agamemnonin por dhe Kasandrën, pavarësisht se nuk përmendet kjo vjen përmes historisë përmes mitit. Agamemnoni ka tre fëmijë, një prej të cilëve është Efigjenia e cila është vrarë, që njihet në veprat e tjera, që u bë fli për hir të zotave, sepse kishte ngecur ushtria greke për të shkuar në Trojë, dhe Klitemnestra motivon vrasjen sepse i shoqi kishte flijuar një nga vajzat e veta. Vajza më e vogël se Efigjenia, Elektra nga masakra që ka ndodhur që kanë vrarë Agamemnonin bashkë me Kasandrën, ka arritur të shpëtojë të vëllanë Orestin, duke çuar në një qytet. Kuptohet që të drejtën sipas mitit ishte zotimi i fronit, që i takonte gjithmonë meshkujve. E për më tepër që ishte froni i Agamemnonit. Kështu që në këtë pozicion Elektra ndihet si një skllave, e përbaltur, por që përmes dhe dhimbjeve dhe vajit të saj gati tetëvjeçar, është mënyra se si ajo lufton pushtetin e egër të Egisit dhe të Klitemnestrës. Të dy kampet ashtu si Elektra me Orestin ashtu dhe Klitemnestra me Egistin - që të dy palët jetojnë ankthin. Ankth ka Elektra që kërkon të rivendoset e drejta, përmes ardhjes së Orestit, për të marrë hak, nga ana tjetër Klitemnestra dhe Egisti gjithmonë jetojnë me ankth, sepse pushteti i tyre është i rrezikuar përmes Orestit. Për këtë struktura dramaturgjike tregon peripecitë shpirtërore dhe kjo e bën mbinjerëzore modelin e Elektrës. Kur tek kori Euripidi ka një thënie shumë të bukur; Elektra ndodhi. Kjo do të thotë se është një ngjarje dhe modeli na ndihmon për të krijuar idetë drejt ideales. Gjithmonë shoqëria do të pjellë heronj për ruajtjen e vlerave, kjo si të thuash i izolon dhe i bën mbinjerëzor ata.

Gjithmonë ka versione të adaptimit regjisorial, ose ndërhyrje në tekst, cila është krijimtaria juaj origjinale mbi këtë vepër, cila do të jetë “Elektra” juaj?

Mendoj se krijimtaria e një regjisori nuk duhet të mbështetet mbi reduktimin apo lëvizjet e tekstit. Nuk më duket normale, jam kundër ndërhyrjeve në tekst. E dyta sa i përket tekstit, që është përkthim i Laert Vasilit, gjithmonë ka një pikë ku do të arrijë po çdo lloj modulimi kërkimi regjisorial. Unë i besoj improvizimit. Nuk besoj se do të ketë ndonjë reduktim të tekstit, natyrisht ndonjë kompensim, por që do të kompensohet përmes gjetjeve skenike. Por, pa të drejtë për të ndërhyrë në tekst. Mendoj se koncepti i veprës, imazhi, do të vijë përmes një imazhi sa klasik edhe modern. Do të ruhet sharmi i kohës, hiri dhe ndërkohë vepra, gradualisht, do të kapë dhe qasje të tilla që të kenë fleksibilitet për kohën përmes mizanskenës inteligjente, gjestit, figuracionit që të krijojnë ndjeshmëri, përmes selektivitetit të figurshëm të nënvizimit të ideve të veprës. Jo çdo gjë do të vijë, por përgjithësisht do të nënvizohen ato ide themelore të konventuara figurativisht përmes gjuhës regjisoriale të cilat krijojnë koherencën, me kohën, ndjeshmëri me spektatorin, - sepse në fund të fundit vepra duhet të krijojë këtë impakt.

Siç thashë dhe më parë, ju edhe në këtë vepër keni zgjedhur një staf me emër të skenës, siç janë Luiza Xhuvani, keni rikthyer Roza Anagnostin etj. Pse kjo zgjedhje, këta kanë qenë emrat primarë fillestarë kur menduat për veprën?

Për një regjisor kërkimi drejt selektivitetit është një kërkim që ekziston brenda krijuesit. Por në fund të fundit po të flasim për protagonistët ka qenë një zgjedhje afirmative fillestare ku direkt impresioni për “Elektrën” më ka shkuar tek Luiza Xhuvani. Elektra është një personazh me karakter shumë eruptiv, me shumë energji që kërkon mbi të gjitha, përveç kësaj, edhe posedimin e një eksperience kualitative. Në këtë pikëpamje them se dimensioni i Luizës sot, më jep garancinë si një ndër aktoret më të afirmuar të teatrit shqiptar. Ajo ka një eksperiencë Andromakën, tek “Gratë trojane”, por çështja është tek poseidimi i një energjie të brendshme për këtë vepër.

A keni pasur në mendjen tuaj edhe emra të tjerë për Elektrën, a keni renditur aktore në kërkimet tuaja që arritët në konkluzionin për Xhuvanin?

Kanë lëvizur dy-tre emra për role të tjera, por për Elektrën ka qenë definitive, e vendosur menjëherë për Luizën.

Ne kemi aktore që kanë eksperienca nga antikiteti, një emër ikonë, ndër të vetmet aktore që lëvron antikitetin është Ema Andrea që vlerësohet për energjinë dhe potencialin...

Është edhe Ema, dikush tjetër mund ta shoh këtë shumë mirë. Por nuk është vetëm Ema, se këtu është bukuria e teatrit, ku gjithsecili aktor ka sharmin dhe individualitetin e vet, por varet nga përzgjedhja dhe mënyra se si e sheh regjisori. Në rastin konkret kam parë Luizën.

Por është vetëm një rastësi emri i aktores Luiza Xhuvani, ajo si deputete është e lirë tani. Nëse ajo do shkonte në Parlament, do ishit i detyruar për një emër tjetër apo jo?

Sigurisht që do gjeja një emër tjetër, sepse vepra ishte në kërkim. Pse duhet të mendoj tani nëse nuk do të ishte Liza?

Insistoj më tepër me faktin nëse kemi aktorë të ushtruar me antikitetin dhe sa e vështirë është të shtrohet kjo rrugë. Nëse folëm për potencialet e Teatrit tani po flasim për potencialin e aktorëve apo regjisorët janë mësuar me dy emra aktorësh dhe këta i kam gati për t’i hedhur në skenë?

Teatri ka dhe një emërtesë tjetër që quhet teatër i besimit. Mua si regjisor më pëlqen të punoj me aktorin. Në këtë kontekst për fenomenin që po diskutojmë, mendoj se një nga vlerat e regjisorit në përgjithësi është puna me aktorin dhe zbulimi e eksplorimi i individualiteteve të reja. Një regjisor që mendon për një aktor se është shumë i mirë, pra për të marrë emrin - nëse ai e merr për vlerat e tij profesionale dhe kërkon të sjellë më të figurë të re, kjo është shumë profesionale. Por, kur bëhet një shfaqje dhe të përfitosh nga emri i aktorëve mendoj, se këtu është një startim i gabuar. Duke iu kthyer pyetjes suaj mendoj, se raporti i regjisë me aktorin ka të bëjë me teatrin e besimit. Secili prej nesh, ata që kanë marrë fletëhyrjen për të qenë artistë, mendoj se me dashuri dhe mirëbesim mund të besohet nga regjisorët dhe duhet eksploruar. Pra, kanë nevojë që aktorët të notojnë, çdo artist ka nevojë të notojë për ta provuar veten. Unë mendoj se çdo regjisor duhet të ketë më tepër besim tek aktorët. Nuk e shikoj shumë defektin tek aktorët sesa e shikoj tek një lloj skematizmi në përgjithësi.

Sa modele të “Elektrës” keni parë deri tani, ku do të ndryshojë e juaja?

Kam parë disa “Elektra” si përmes DVD-ve, edhe si produksione në skenë. Një produksion të “Elektrës” e kam parë në festivalin grek, para dy viteve, në teatrin e Epidavros vënë në skenë nga një regjisor gjerman. Vepra ishte mbajtur me një frymë tejet realiste. E çmova veprën për energjinë dhe emocionin, ku luanin aktore të mëdha të teatrit grek. Kam parë një produksion tjetër nga teatri rumun ku ishte një trajtim miks, ndërmjet Sofokliut dhe Euripidit. Gjithashtu një “Elektra” tjetër më është dukur interesante e trajtuar e gjitha mbi etno, pra siç e shihni ka shumë këndvështrime. Ndërsa në “Elektrën” time përgjithësisht jam përpjekur të qëndroj shumë mbi analizën e bërë mbi fenomenin dhe dukurinë e mitit të Elektrës. Kërkimi regjisorial do të mbështet kryesisht mbi eksplorimin e karakterit të Elektrës, sa më tepër të depërtoj në thellimin e këtij karakteri, aq më tepër vepra do të jetë bashkëkohore.

Dimë që veprat antike greke, ashtu sikurse teatri grek, shenjat, kodet, gjuhën skenike e kanë mjaft të pasur, të sofistikuar dhe mitike. Nga kjo vepër që do vini në skenë, a do të ketë elementë të botës mistike shqiptare?

Kur flitet për kodin, mitet, ritualet ne jemi ballkanas dhe jemi shumë afër njëri-tjetrit dhe kemi historinë tonë. Edhe vetë Shqipëria është e pasur me këto elementë. Kërkimi im për këtë shfaqje do të jetë drejt gjetjes së një rituali shqiptar, drejt muzikalitetit shqiptar që vepra të përcjellë ngjyrën tonë. Kjo nuk mund të bëhet me demagogji për së jashtmi, se në fund të fundit ato ekzistojnë brenda nesh. Unë jam në kërkim të një gjendje të tillë që të flasë shqip.

Tragjeditë antike dallohen për numrin e madh të aktorëve në skenë, sidomos kur aplikohet dhe kori. Duket sikur ju për herë të parë keni punësuar gjithë stafin permanent të Teatrit...

Kjo ka lidhje me çfarë thashë më lart, me teatrin e besimit. Mendoj, se ka një numër të madh aktorësh me vlera, me eksperienca, vokativë. Kur u bëra thirrje për të ardhur nuk ndjeva ndonjë hezitim për të ardhur, për të marrë pjesë sikurse do përmend Bujar Asqeriu, Vasian Lami, Ahmet Pasha, si dhe Marjeta Ljarjen, Elida Janushi, Marjana Kondin, Erjona Kakeli, Ermela Teli etj., këto të gjitha firmosin në teatër, dhe janë të përfshira në kor. Mendoj se do të jetë një eksperiencë interesante, sikur pritet të vijë një koreografi nga Greqia, që do t’i nënshtrohet sigurisht konceptit, por ajo që është e rëndësishme është përfshirja e një numri të madh aktorësh që janë të Teatrit Kombëtar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›