Bjellorusi: Dënim me burg për aktivistin për të drejtat e njeriut

Një gjykatë në Bjellorusi ka dënuar sot me 4 vjet e gjysmë burg aktivistin udhëheqës për të drejtat e njeriut, Ales Bjaljatski, duke e shpallur fajtor për evazion të taksave.
Ai është lider i një grupi për të drejtat e njeriut, që ka zhvilluar fushatë për disa përfaqësues opozitarë, të cilët janë ndjekur nga qeveria e presidentit Aleksander Llukashenka.
Autoritetet e Bjellorusisë e kishin tërhequr regjistrimin zyrtar të këtij grupi, nga viti 2003.
Kreu i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Audronius Azubalis, njëherësh ministër i jashtëm i Lituanisë, e ka dënuar vendimin e gjykatës dhe tha se rasti Bjaljatski “duhet të shihet si pjesë e modelit më të gjërë të keqtrajtimit dhe frikësimit të mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Bjellorusi”.
Shqetësim ka shprehur edhe zëdhënësi i presidentit të Parlamentit Evropian, Robert Golanski, i cili i tha se “PE është i shqetësuar për dënimin e pa arsyeshëm të zotit Bjaljatski”.
Ministria e jashtme e Polonisë tha se procesi gjyqësor “ishte qartazi i natyrës politike”.
Në procesin e sotëm gjyqësor ishin të pranishëm edhe diplomatët nga vendet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.