E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Kosovës dënon dhunën e strukturave paralele

Qeveria e Kosovës e ka dënuar ashpër dhunën e strukturave paralele serbe, të ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR-it, ku u lënduan rreth 20 ushtarë të KFOR-it, ka kumtuar Zyra e Kryeministrisë.

“Të githa strukturat kriminale në veri, që pengojnë lirinë e lëvizjes dhe konfrontohen me institucionet e Kosovës dhe me trupat paqëruajtëse të NATO-s, shumë shpejt do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë jetësimin e plotë të vizionit të saj për hapjen e prespektivës së zhvillimit ekonomik, si dhe për zhvillimin e procesit demokratik zgjedhor edhe në pjesën veriore të Kosovës, thuhet në fund të kumtesës së sotme, lidhur me incidentin në pjesën veriore të Kosovës.

Më herët edhe Qeveria e Serbisë e ka dënuar fuqishëm incidentin në barrikadën në pjesën veriore të Kosovës.

“Qeveria e Serbisë i fton misionet ndërkombëtare në Kosovë, e veçanërisht pjesëtarët e KFOR-it, që ta sigurojnë dhe mbrojnë popullatën”, tha zëdhënësi Milivoje Mihajlloviç, në një konferencë për shtyp në Beograd.

Ai theksoi se qeveria ka ftuar banorët lokalë dhe KFOR-in, që të mos e përdorin dhunën dhe t`u shmangen provokimeve dhe incidenteve.

“Për qeverinë e Serbisë dialogu është e vetmja gjë, që mund të sjellë stabilitet” në Kosovë, ka thënë Mihajlloviç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›