Kuvendi, sot shqyrtohet projektbuxheti i vitit 2012
Kuvendi do të nisë sot në një seancë të posaçme shqyrtimin e projekt/buxhetit të shtetit për vitin 2012. Projektbuxheti vjen në këtë seancë pas 2 javë diskutimesh në komisionet parlamentare, ku maxhoranca dhe opozita kanë debatuar për nivelin e borxhit publik dhe fondeve në dispozicion të institucioneve të ndryshëm.
Kryeministri Berisha e ka cilësuar projektbuxhetin 2012 si buxhetin më të madh në historinë e vendit. Sipas tij ky buxhet është hartuar nga ministria e Financave, bazuar në objektivat e garantimit të stabilitetit makro ekonomik ndërsa ka shtuar se projekti më madhor i këtij buxheti është rritja e pagave dhe pensioneve.
Më herët Ministri i Financave Ridvan Bode ka deklaruar se projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.
Sipas qeverisë ky buxhet parashikon rritjen e të ardhurave për vitin e ardhshëm ndërsa opozita thekson se buxheti nuk do të mbështesë rritjen ekonomike.
Ndërkohë Komisioni i Ekonomisë e miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2012, ku deputetët e PS-së nuk e votuan pasi sipas tyre ndarja e fondeve është e pamjaftueshme.