Blagojevich dënohet me 14 vjet burg

Ai ishte akuzuar në 18 pika për korrupsion, përfshirë edhe përpjekjen për të tregtuar vendin e zbrazët të senatorit, pas zgjedhjes së Barak Obamas për president të SHBA-ve.
Blagojevich kishte kërkuar falje për veprimin e tij dhe në drejtimin e tij gjykatës kërkoi mëshirë me rastin e shqiptimit të dënimit.
Një gjë e tillë paraqet precedent në procesin e deritanishëm trevjeçar kundër tij, pasi që nga fillimi ishte shprehur i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.
“Këtu jam i dënuar për vepër kriminale dhe e pranoj këtë. Natyrisht, se më vjen keq për shkak të kësaj”, ka thënë Blagojevich.
Ai më herët gjatë këtij viti ishte shpallur fajtor dhe pritej të dënohej deri në dhjetë vjet burg. Prokuroria kërkoi 15 deri 20 vjet burg, derisa pala mbrojtëse kërkoi “disa vite dënim”.
Procesi dëgjimor ka zgjatur dy ditë, ku të dyja palët kanë paraqitur argumentet e tyre.
Blagojevich, emri i vërtetë i të cilit është Millorad, është arrestuar në dhjetor të vitit 2008, pas të cilës ishte shkarkuar nga detyra e guvernatorit.
Ky është njëri nga dënimet më të ashpra të shqiptuara ndonjëherë për korrupsion në Ilinois.